Secondary Adv

Bankat dhane me shume se 110 mije kredi te reja ne vitin 2023

Sektori bankar disbursoi 110 mijë kredi vitin e kaluar.

 

Duke filluar nga viti 2023, statistikat e Bankës së Shqipërisë japin për herë të parë një informacion edhe për numrin e kredive të reja të disbursuara nga sektori bankar, përveçse për vlerën e tyre.

 

Megjithëse mungesa e statistikave të vitit 2022 nuk mundëson krahasimin e numrit të kredive të dhëna, ajo që vërehet gjatë vitit 2023 është një rritje e ndjeshme e numrit të kredive të disbursuara tremujor pas tremujori.

 

Numri total i kredive të disbursuara gjatë tremujorit të katërt arriti në pothuajse 31 mijë, nga afërsisht 24 mijë kredi në tremujorin e parë të vitit.

 

Përveçse një tendencë në përmirësim të kredidhënies, kjo reflekton edhe një lloj sezonaliteti të kredisë, veçanërisht në segmentin e biznesit.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i kredive të disbursuara për bizneset vitin e kaluar arriti në pothuajse 42 mijë, për një vlerë totale prej afërsisht 152 miliardë lekësh.

 

Kreditë e biznesit përbënin afërsisht 38% të numrit total të kredive të disbursuara. Vlera mesatare e një kredie të dhënë për biznesin vitin e kaluar ishte 3.63 milionë lekë.

 

Ndërsa numri i kredive të dhëna për individët arriti në më shumë se 68 mijë, për një shumë totale prej afërsisht 77 miliardë lekësh. Në numër, kreditë e individëve përbëjnë rreth 62% të totalit, ndërsa në vlerë më pak se 34% të tyre.

 

Vlera mesatare e një kredie për individë ishte rreth 1.13 milionë lekë. Statistikat e pagesave japin disa të dhëna orientuese edhe për ecurinë e pagesave të kredive.

 

Vitin e kaluar, bizneset kryen 241 mijë pagesa të kësteve të kredisë, me një tendencë rritëse nga rreth 25500 në pothuajse 33 mijë pagesa në tremujorin e fundit. Mesatarisht, bizneset kryen rreth 20 mijë pagesa të kredive në muaj.

 

Megjithatë, duhet konsideruar se struktura e shlyerjes së kredive të biznesit jo gjithmonë është e njëjtë me atë të individëve, ku zakonisht pagesat kryhen me bazë mujore.

 

Në disa raste, pagesat e kësteve të kredive nga bizneset mund të jenë me një frekuencë më të ulët vjetore, ndërsa një pjesë të konsiderueshme të portofolit e përbëjnë edhe overdraftet, që nuk parashikojnë një strukturë uniforme periodike të pagesave të principalit.

 

Ndërsa individët vitin e kaluar kryen afërsisht 1.73 milionë pagesa të kësteve të kredisë ose mesatarisht rreth 144 mijë pagesa në muaj.

 

Ecuria e pagesave mesatare mujore të kredive ishte në rënie nga tremujori i parë (rreth 146 mijë pagesa në muaj) në tremujorin e tretë (më pak se 140 mijë pagesa në muaj). Por, në tremujorin e katër, numri mesatar mujor i pagesave shënoi një rritje të fortë në 149 mijë pagesa.

 

Duke qenë se te individët fluksi mesatar i disbursimeve të kredive të reja ka më pak luhatje vjetore krahasuar me bizneset, rritja e numrit të pagesave gjatë tremujorit të fundit mund të konsiderohet si një përmirësim i performancës së pagesave prej tyre.

 

Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në fund të vitit të kaluar ra në 4.7%, nga 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Ky tregues ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/bankat-dhane-me-shume-se-110-mije-kredi-te-reja-vitin-e-kaluar/


Më të lexuarat