Secondary Adv

Rishikim i buxhetit 2016, ja cfare pritet te ndryshoje

Ministria e Financave është në fazat e fundit të rishikimit të buxhetit 2016, që pritet të shkojë së shpejti në qeveri.Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave në kahun e të ardhurave nuk do të ketë ndryshime.

 

Plani i të ardhurave për vitin 2016 mbetet rreth 419 miliardë lekë, aq sa është planifikuar në buxhetin fillestar. Kjo nisur dhe nga fakti që për 6 mujorin plani i të ardhurave është realizuar në masën 102% dhe realizimi pritet të vazhdojë dhe në gjysmën e dytë të vitit.Shpenzimet janë zëri ku do të ketë ndërhyrje, kryesisht rregullime dhe rialokime shpenzimesh dhe ekuilibrimin e investimeve, me synim realizimin 100% si të investimeve të brendshme ashtu dhe të huaja.


Ndryshimi më i madh, sipas financave, ka të bëjë me rialokimin e 4 miliardë lekëve, nga investimet me burime të huaja, për shkak të problematikës që shfaqin disa nga projektet, që kanë probleme administrative, jo terreni. Së dyti, ka disa projekte vendi që kanë nevojë për t’u financuar për t’u kthyer në produkte. Ka projekte që kanë të bëjnë me unazën e Tiranës dhe disa emergjenca të rrugëve që kanë domosdoshmëri për të investuar. Do të ketë gjithashtu korrektime në disa ministri, kryesisht projekte të vogla në shëndetësi, bujqësi (matrikulimi, spërkatja me pesticide të insekteve) dhe projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me fondin e zhvillimit të rajoneve.


Një element i rëndësishëm, që financat theksojnë, është që rialokimet e shpenzimeve do të mundësojnë pagesën e detyrimeve të prapambetura, që është edhe detyrim primar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, kryesisht në sektorin e transportit. Janë gati 1.2 miliardë lekë detyrime të prapambetura të krijuara rishtazi nga punimet e infrastrukturës, të cilat do të paguhen të gjitha.


Për 6 mujorin shpenzimet ishin 15 miliardë lekë, ose 8% më të ulëta se plani, sipas statistikave fiskale të qershorit. Mosrealizimi më i madh në raport me planin ishte në shpenzimet për buxhetin vjetor (-5.2 miliardë lekë), fondet special (-3.6 miliardë lekë), interesat (-1.2 miliardë lekë).Shpenzimet kapitale kishin një mosrealizim prej 4.8 miliardë lekësh, nga të cilat 1.7 miliardë lekë nga financimi i brendshëm dhe 3.1 miliardë lekë nga financimi i huaj.


Më të lexuarat