Secondary Adv

Projekti per parqet e kryeqytetit, Bashkia nis vendosjen e 200 stolave dhe koshave

 

Bashkia e Tiranës ka nisur vendosjen e rreth 200 stolave dhe koshave për mbledhjen e mbetjeve në rrugë dhe parqet qendrore të Kryeqytetit. Projekti është një financim i fondacionit turk “TIKA”, në një periudhë kur buxheti i Bashkisë për zbatimin e investimeve është i bllokuar vetëm pak kohë më parë.

 

 

Zv/kryetari i Bashkisë së Tiranës ka thënë gjithashtu se, do të vazhdojnë projektet e gjelbërimit të qytetit, si edhe të përmirësimit të trajtimit të mbetjeve urbane.

 

 

Projekti  per parqet e kryeqytetit

 

200 stola dhe rreth 140 kosha do te vendosen në parqet dhe rrugët e Tiranës. Ky donacion i është bërë bashkisë së Tiranës nga shoqata turke “Tika”( Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim),  e cila i ka ardhur në ndihmë bashkisë së Tiranës në një moment të vështirë, ku ishte e detyruar të operonte pa buxhet për shkak të bllokimit nga Kryeministri Rama. Në ceremoninë e dorëzimit të këtij donacioni nga presidenti i “Tika”-s, Prof. Dr. Birol Cetin, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo theksoi se ky është një kontribut i rëndësishëm në krijimin e sa më shumë ambienteve çlodhëse për qytetarët dhe në një ambient sa më të pastër.

 

 

“Ky donacion, kjo dhuratë, e bërë me shumë zemërgjerësi nga “Tika” vjen absolutisht në një çast shumë të përshtatshëm për Bashkinë e Tiranës, pas një bllokimi 7 mujor të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, ku çdo lloj investimi praktikisht ishte bllokuar. “Tika” na është gjendur duke plotësuar një kërkesë të Bashkisë së Tiranës dhe duke dhuruar 200 stola dhe 142 kosha. Është angazhimi i Bashkisë së Tiranës për një mjedis sa më të pastër dhe sa më të gjelbër në Tiranë. Për këtë arsye ne do të vazhdojmë të kërkojmë të këmbëngulim edhe në zgjidhjet afatgjata të qytetit, zgjidhje të cilat i ofrojnë qytetit pastrim më të mirë, kontenier të hedhjes së mbeturinave të padukshëm për syrin e qytetarëve, kontenier të ndarë, në mënyrë që të ndahen mbetjet organike dhe ato joorganike, për qëllime të riciklimit, siç parashikohet në projektin e menaxhimit të mbetjeve, i cili për fat të keq, pavarësisht impaktit shumë të madh që do të ketë për Tiranën, është bllokuar nga kryeministri Rama pa asnjë arsye”-theksoi nënkryetari Bozdo.

 

 

“Tika” pritet t’i dhurojë Bashkisë së Tiranës dhe një sasi pemësh, në mënyrë që ti shtohet gjelbërimi qytetit, një prioritet i Bashkisë. Deri në fund të vitit sipas Bozdos, në Tiranë do të mbillen rreth 2000 pemë dhe bimë dekorative. Po kështu, “Tika” po kontribuon në restaurimin e disa xhamive, mes të cilave është edhe xhamia e Et’hem Beut.“Ky nuk është projekti i parë që realizojmë me Bashkinë e Tiranës, ky është projekti i tretë dhe normalisht që do të vazhdojë edhe me projekte të tjera.

 

 

Ky është një projekt i cili jep shumë rëndësi pastërtisë dhe ambientit. Është një projekt, që mund të themi me një buxhet simbolik, por do të bëjmë do të japim edhe ndihma të tjera që lidhen me gjelbërimin e qytetit. Dua të themi që gjithmonë do të ketë derën e hapur Bashkia  e Tiranës për të gjitha nevojat, brenda mundësive që ne kemi. Di të them që projekt për të cilën ne japim shumën, i cili lidhet me restaurimin e objekteve të kultit, kemi realizuar restaurimin e pesë xhamive, ndërkohë që këtë vit do të fillojmë restaurimin e gjashtë xhamive të tjera dhe brenda tyre është edhe xhamia e Et’hem Beut në Tiranë”- u shpreh presidenti i “Tika”-s, Prof. Dr. Birol Cetin.

 

 

 


Më të lexuarat