Secondary Adv

Vjen operatori i katert per sherbimin 3G, ne 2015 hapet tenderi per 4G

 

Kompania celulare “Plus Communication” merr dy breza frekuencash që i mundësojnë të ofrojë shërbimin 3G, ndërsa kompania tjetër, që u rendit e dyta në tender, zgjeron kapacitetet e ofrimit të shërbimit 3G.

 

Tenderi

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hapur ofertat lidhur me tenderin publik të shpallur më 23 korrik me objekt: “Dhënia e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 1965 – 1980 MHz çiftuar me 2155- 2170 MHz dhe 5 MHz spektër i paçiftuar 1915 – 1920 MHz”. Nga hapja e ofertave, afati i fundit për dorëzimin e të cilave ishte ora 10:00 e ditës së djeshme, ka rezultuar se kompania “Plus Communication” ka ofruar 2.97 milionë euro për dy të drejta përdorimi (dy breza). Për brezin e tretë në tender, dy kompanitë e tjera celulare të renditura më poshtë, kanë ofruar përkatësisht 1.552 milionë euro dhe 1.55 milionë euro.

 

Sipas rregullores së garës, në bazë të së cilës “Plus Communication” kishte prioritet dhe vlerës së ofertave, dy breza i merr Plus dhe një brez e merr kompania e renditur e dyta. Marrja e dy brezave të frekuencës i krijon kapacitetin që “Plus Communication” të ofrojë shërbimin 3G, që nuk e kishte deri tani. Ndërkaq, kompania tjetër, që e kishte këtë shërbim, përmes brezit shtesë të frekuencave, do të zgjerojë kapacitetet e ofrimit të 3G.

 

Spektri i frekuencave

Sipas dokumentit të tenderit, të miratuar pak ditë më parë, procedura e tenderit zhvillohej për të dhënë katër autorizime në brezat e frekuencave për përdorim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga rezultatet e tenderit, “Plus Communication” ka marrë dy brezat e parë, ndërsa dy kompanitë e tjera pjesëmarrëse në tender, që kanë konkurruar vetëm për brezin e tretë, kanë ofruar pothuajse të njëjtën shumë, ku e para ka dhënë vetëm 2.001 euro më tepër. Çmimi minimal i pranueshëm për ofertuesit për secilën nga të drejtat e përdorimit A, B, dhe C ishte 1 485 000 euro. Për brezin e fundit, çmimi minimal i pranueshëm për ofertuesit për të drejtën e përdorimit D ishte 110 000 euro. Për këtë brez frekuence nuk pati asnjë ofertë.

 

Gjenerata 3G

3G është një teknologji e re, e cila mundëson transmetim të të dhënave me cilësi dhe shpejtësi të lartë. Këto të dhëna mund të jenë foto, video, lajme në kohë reale nëpërmjet shërbimit të internetit me shpejtësi shumë të lartë, të tilla që mund të ofrojnë përdorimin e shërbimeve të ndryshme, si p.sh. telefonata me video (video call), internet të shpejtë, televizor në celular etj. Kjo teknologji përfshin një grup standardesh të larta, të cilat mundësojnë për përdoruesit, komunikimin në bandë të gjerë, duke krijuar efektivitet të lartë në telefonata dhe në transmetimin e të dhënave. Standardi europian për 3G njihet si UMTS (Sistemet Universale të Telefonisë së Lëvizshme).

 

Versioni më i zhvilluar i 3G-së përfshin: Komunikimin me Shpejtësi të Lartë (teknologjia HSPA+), e cila përfshin: shkarkimin e të dhënave me shpejtësi të lartë (HSDPA) dhe ngarkimin e të dhënave me shpejtësi të lartë (HSUPA). Në Shqipëri, aktualisht, ofrohet ky shërbim me shpejtësi deri në 42 Mbps (downlink) dhe deri në 5.8 Mbps (uplink). Me fjalë të tjera, ky shërbim mundëson Multimedia Messaging – MMS të avancuar (jo vetëm me foto, por edhe me zë, dërgim të dhënash, video dhe remote control), si dhe përdorim shumë të gjerë të lundrimit në internet.

 

Më 2015-s nis 4G

Në mes të muajit gusht u mor vendimi për nisjen e procedurave për aplikimin e teknologjisë 4G. AKEP-i, me anë të vendimit të këshillit drejtues, ka miratuar përfundimin e këshillimit publik mbi përdorimin e brezave të frekuencave GSM 900/1800 për dhënien në përdorim të frekuencave nga brezi 1800 MHz për sistemet GSM/LTE/UMTS/WiMAX, duke i hapur rrugën kështu vazhdimit të procedurës për të dhënë mundësinë e futjes së teknologjisë 4G. 4G është gjenerata e katërt e standardeve të telefonisë celulare.

 

Në shërbimin 4G arrihet shpejtësia kulmore e download në 100 Mbit/s për komunikim në lëvizshmëri të lartë (të tilla si nga trenat dhe makinat) dhe 1 Gbit/s për komunikim në lëvizshmëri të ulët (të tilla si këmbësorë dhe shfrytëzues të palëvizshëm). Një sistem 4G pritet të sigurojë një akses të plotë dhe të sigurt të të gjitha llojeve të celularëve që bazohen në teknologjinë “smartphone”, të laptop-ëve me modem, të kompjuterëve wireless dhe pajisjeve të tjera mobile.


Më të lexuarat