Secondary Adv

Energjia ne Shqiperi, Banka Boterore miraton kredine 150 milione dollare

 

Banka Botërore i ka dhënë dritën jeshile kredisë prej 150 milion dollarësh për qeverinë shqiptare. Të gjitha këto para do të shkojnë për të sistemuar sektorin energjetik, i cili në fakt ka kohë që performon dobët dhe merr çdo vit miliona dollarë nga buxheti i shtetit. Kjo shumë do të shpenzohet për të përmirësuar rrjetin e transmetimit, ku humbjet nga 42% që janë sot në sistemin e shpërndarjes, në vitin 2018-të mendohet të arrijnë 20%. Ne këtë mënyrë buxhetit të shtetit, por edhe kompanisë CEZ do t’i kursehen mesatarisht rreth 100 milion dollarë në vit.

 

Fondi do të përdoret për financimin e Projektit të Rimëkëmbjes së Sektorit të Energjisë në Shqipëri, sipas Zerit të Amerikës. Deklarata është bërë nga Tahseen Sayed, menaxherja e re e Bankës Botërore në Shqipëri, sipas së cilës, projekti do të mbështesë reformat në sektorin energjetik të Shqipërisë, duke u fokusuar në veçanti në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të këtij sektori.

 

Energjia ne Shqiperi

“Sektori i energjisë në Shqipëri po ndeshet me sfida serioze financiare dhe operacionale, duke përfshirë një deficit të lartë të pa financuar prej rreth 550 milionë dollarësh dhe një nivel të madh të humbjeve teknike dhe komerciale prej rreth 42 përqind, më i larti në rajon, për shkak të mospagesës së faturave të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve, si dhe normat e ulëta të mbledhjes së borxheve. Prodhimi i Energjisë mbështetet pothuajse tërësisht në hidrocentralet e vendit, që do të thotë se importet e energjisë janë shpesh të nevojshme gjatë stinëve kur vendi ndeshet me thatësira dhe mungesë të reshjeve të shiut”, tha Sayed.

 

Përpjekjet e qeverisë për reformimin e sektorit të energjisë përfshijnë diversifikimin e burimeve prodhuese, pakësimin e nivelit të humbjes së energjisë gjatë shpërndarjes, përmirësimin e pagesës së energjisë nga konsumatorët, dhe përmirësimin e modelit të tregut të energjisë në përputhje me standartet e BE-së. Një Plan gjithëpërfshirës për Rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë do të zbatohet për të trajtuar çështjet e ngutshme me të cilat ndeshet ky sektor, veçanërisht qëndrueshmërinë e tij fiskale.

 

“Projekti i Rimëkëmbjes së Sektorit të Energjisë mbështet zbatimin e reformave të qeverisë, dhe do të ndihmojë në rritjen e investimeve, përmirësimin e menaxhimit dhe performancës, veçanërisht në shpërndarjen e energjisë dhe pakësimin e shumave të papaguara të borxheve”, tha Tahseen Sayed, menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë. “Projekti do të mbështesë planin e rimëkëmbjes së sektorit të energjisë duke trajtuar çështjet e vjetra teknike dhe financiare”, tha zonja Sayed./Monitor


Më të lexuarat