Secondary Adv

Rritet cmimi i cigareve 20 leke me shume per nje pakete

Pas ashpërsimit të masave ndaj duhanpirjes në mjedise publike, qeveria shqiptare ndërmerr një iniciativë tjetër, tashmë të natyrës fiskale, në mënyrë që të dekurajojë konsumimin e duhanit. Ndryshimet fiskale të miratuara parashikojnë rritjen e akcizës së duhanit me 20 lekë, çka do të reflektohet edhe në rritjen e çmimit për konsumatorët. Kjo rritje e çmimit do të shtrihet deri në vitin 2017.

 

Kjo është hera e dytë brenda një viti që qeveria shqiptare ndërhyn duke rritur akcizën e duhanit. Rritja e mëparshme ishte e njëjtë, pra 20 lekë, por me hyrjen në fuqi në fillim të vitit, rritja në treg shkoi në mënyrë abuzive në 50 lekë për paketë.Rritja e taksave për disa produkte të ashtuquajtura të luksit, mes të cilave edhe cigaret, vjen si përmbushjen e kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe si zbatim i një direktive të Bashkimit Evropian që rekomandon që niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57 për qind e çmimit të shitjes me pakicë. Por ndërsa qeveria deklaron se rritja e akcizës ka si qëllim dekurajimin e konsumit të duhanit, të dhënat e publikuara nga ekspertë të këtij Fondi, dëshmojnë se ecuria e të ardhurave ka qenë e mirë, por jo aty ku pritej. Kështu vetëm për periudhën 7-mujore, të ardhurat nga akciza rezultojnë të jenë me 4 miliardë lekë më pak se planifikimi, çka do të thotë se rritja e kësaj takse në fillim të vitit nuk dha rezultatet e pritshme.Vendoset për herë të dytë brenda vitit rritja e çmimit të cigareve. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, midis të tjerave, u miratua edhe një projektligj për ndryshimin e regjimit të akcizave, i cili parashikon rritje edhe me 20 lekë për një paketë cigare të akcizës së duhaneve.


Akciza

Në Shqipëri akciza llogaritet mbi çmimin e shitjes dhe është 4.500 lekë për 1.000 cigare. Në rajon kjo taksë llogaritet mesatarisht nga 20–37% të çmimit të shitjes. Akciza e cigareve u rrit me 20 lekë për paketë duke filluar nga 1 janari, si pjesë e paketës fiskale, por rritja e reflektuar në treg ka qenë më e lartë, deri në 50 lekë për paketë. Rritja e taksave për disa produkte të ashtuquajtura të luksit, mes të cilave edhe cigaret, vjen si përmbushjen e kërkesës së FMN dhe si zbatim i një direktive të BE që rekomandon se niveli minimal i akcizës së cigareve duhet të jetë 57% e çmimit me pakicë. 


Shëndeti

Sipas ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, një masë e tillë do të ndikojë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve. “Është e provuar tashmë botërisht që duhanpirja është një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe po ashtu, edhe të kancerit të mushkërive”, tha ai. Sipas Beqajt, në vendet e zhvilluar regjimi fiskal i produkteve të duhanit është një nga elementët që ka rezultuar i suksesshëm në frenimin e duhanpirjes. Edhe pse akti, në fakt, formalisht është akt fiskal - sepse po ndryshohet ligji i akcizave respektivisht për pjesën e duhanit, - qeveria beson se frenimi i duhanpirjes do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve, por dhe impakt, po ashtu, social dhe ekonomik, u shpreh ai.


Më të lexuarat