Secondary Adv

Rritja e cmimit te gazit, tatimoret nuk gjeten abuzime

Pas dhjetëra kontrolleve të ushtruara në të gjithë territorin e vendit, administrata tatimore nuk ka gjetur asnjë abuzim në tregun e gazit të lëngshëm.

 

Top Channel zbardh raportin paraprak të Tatimeve, sipas të cilit çmimet në treg reflektojnë kostot dhe nuk kanë elementë abuziv. Administrata thotë se menjëherë pas urdhrit të ministrit të Financave ka kryer kontrolle në të gjithë zinxhirin e tregtimit të gazit, nga grosistët e importit deri tek pikat e shitjes me pakicë.

 

Sipas saj, nga këto kontrolle ka rezultuar se çmimi fundor lëviz në mënyrë lineare nga importi tek pika fundore e shitjes dhe nuk ka elementë abuziv. Raportit vëren se në të gjitha rastet dokumentacioni i shoqërive ka rezultuar konform ligjit dhe çmimet e afishuara nga kompanitë përputhen plotësisht me ato të shitjes me pakicë.

 

Por Tatimet thonë se kontrollet mbi kompanitë e gazit do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet në të ardhmen, madje edhe tek ato subjekte apo pika që janë kontrolluar një herë për të mos lejuar abuzime me çmimin apo shmangie tatimore.

 

Në paketën e re fiskale, qeveria vendosi akcizë 8 lekë për litër për gazin, por vetëm për atë që përdoret për automjetet. Por sapo taksa hyri në fuqi, tregtarët e rritën çmimin edhe për gazin që përdoret nga familjet. Vetë grosistët jashtë kamerave e pranojnë rritjen e çmimit. Por sipas tyre, ajo nuk lidhet me taksën, as me abuzimet, por vjen si rezultat i shtrenjtimit të këtij produkti në bursa / Top Channel


Më të lexuarat