Secondary Adv

Mbyllet marreveshja, FMN: Ku duhet te permiresohet qeveria

Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi lëvrimin e këstit të fundit me vlerë 73 milionë euro për qeverinë.


Në përfundim të marrëveshjes 3-vjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, qeverisë iu disbursua 377 milionë euro kredi. FMN shpjegoi se marrëveshja që u zbatua për 36 muaj me qeverinë shqiptare kishte si qëllim kthimin e rritjes ekonomike, kontrollin e borxhit publik që kërcënonte stabilit etin ekonomik, duke u fokusuar në reforma për energjinë dhe biznesin. Në mbyllje të marrëveshjes, FMN vlerësoi se objektivat janë arritur, por qeveria duhet të ketë kujdes me borxhin publik dhe të përmirësojë menaxhimin e investimeve.


Porositë
Pas vendimit të bordit ekzekutiv, zëvendësdrejtori menaxhues, Zhang Tao, dhe kryetarja e përkohshme, nëpërmjet një deklarate kanë dhënë porositë se ku duhet të fokusohet qeveria pas përfundimit të marrëveshjes.“Prioritetet kryesore të autoriteteve në periudhën e pasprogramit janë të përshtatshme. Ato duhet të vazhdojnë që të ndjekin konsolidimin fiskal në 2017 dhe më tej në mënyrë që të ulin borxhin publik në rreth 60 për qind të PBB-së, deri në fund të 2019. Strategjia e konsolidimit duhet të përqendrohet në zgjerimin e bazës së taksapaguesve dhe përmirësimin e administrimit e mbledhjes së taksave.


Strategjia është ambicioze dhe do të kërkojë angazhim të madh politik. Autoritetet ndërmorën rregullime të mëdha fiskale dhe bënë progres domethënës në fuqizimin e institucioneve fiskale. Reforma të mëtejshme në administrimin e taksave dhe menaxhimin publik financiar do të ndihmojnë në reduktimin e rreziqeve fiskale dhe do të krijojnë hapësirë fiskale për shpenzime më cilësore. Për më tepër, përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike dhe trajtimi i projekteve të prapambetura të investimeve të pabuxhetuara do të fuqizonte më tej besueshmërinë e qeverisë në kuadër të buxhetit afatmesëm”, thuhet në deklaratën e bordit të FMN-së.


Kredia
Bordi i Fondit Monetar ndërkombëtar vlerësoi se zbatimi i ligjit të falimentit do të zgjidhte kreditë me probleme. “Politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë është e përshtatshme në këndvështrimin e presioneve të ulëta inflacioniste.Autoritetet duhet të vazhdojnë të ndjekin një deeuroizim gradual, duke pasur në konsideratë rreziqet e këtij procesi. Sistemi bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar, ku përpjekjet e fundit për të forcuar kapacitetet mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë dhe për të adresuar kreditë me probleme janë inkurajuese. Janë të nevojshme masa të tjera për të adresuar kreditë me probleme, duke siguruar zbatimin e legjislacionit të ri të falimentimit.Duhet t’i jepet gjithashtu prioritet rritjes së mbikëqyrjes së institucioneve financiare, jo bankave dhe sigurimi i transparencës së lartë dhe standardeve të qeverisjes në zhvillimin e institucioneve të tregjeve të kapitalit”, përfundon deklarata e FMN-së.


Më të lexuarat