Secondary Adv

2016, doganat 43.6 mln euro me pak se plani, tatimet 1.6 mln me shume

Kontributi i doganave në arkën e shtetit vijoi të jetë deficitar edhe gjatë vitit të kaluar, duke i krijuar arkës së shtetit një mosrealizim prej 6.6 miliardë lekësh (43.6 milionë euro) më pak se planifikimi, teksa shihet se tatimet kanë realizuar një tejkalim të lehtë të planit me 225 milionë lekë (1.6 milionë euro).


Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave mosrealizimin patën TVSH-ja në doganë me 2.7 miliardë lekë më pak se plani dhe akciza po me 2.7 miliardë lekë më pak se plani. Gjithashtu programimit të 2016 i munguan edhe 1.2 miliardë lekë më pak të ardhura nga renta.Më herët Ministria e Financave ka argumentuar së rënia e të ardhurave në zërat kryesore doganore ka ardhur për shkak se, çmimet në tregjet kryesore të mallrave kanë qenë të ulëta. Për pasojë zhdoganimet në vlera kanë qenë më të ulëta.


Performanca fiskale ka qenë disi ndryshe në tatime, ku institucioni taksambledhës shihet të ketë pasur ecuri më pozitive. Nga analizimi i treguesve të veçante shihet se tejkalimi i planit në tatimin mbi fitimin me 4.8 miliardë lekë ka kompensuar mosrealizimin drastik të planit të TVSH-së. Por tejkalimi i tatimit mbi fitimin i dedikohet pagesave që kanë bërë kompanitë shtetërore të energjetikes dhe Bankers.Sipas një analizë të Ministrisë së Energjetikes 11 për qind e totalit të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin është paguar nga kompanitë e energjetikes, nga të cilat rreth 1,2 miliardë lekë i ka paguar vetëm OSHEE.


Në të gjitha zërat e tjerë të të ardhurave tatimet shihet të kenë qenë deficitare në raport me planin. Nga programimet e TVSH kanë munguar më shume se 3.8 miliardë lekë, nga tatimi mbi të ardhurat personale munguan 661 milionë lekë dhe nga taksat nacionale 128 milionë lekë.Gjithsesi në raport me faktin  e 2015 institucionet fiskale grumbulluan të ardhura 6% për qind më shumë.Edhe në këtë aspekt doganat kanë shfaqur më shumë dobësi duke grumbulluar vetëm 2,9 për qind më shumë se fakti i 2015, teksa tatimet grumbulluan të ardhura 10.7 për qind më shumë se fakti i 2015.


Më të lexuarat