Secondary Adv

Tirane, investim ne rrjetin e kanalizimeve ne njesine nr. 2

Shumë shpejt, problemi i 1000 banorëve në rrugën “Xhavit Shyqyri Demneri”, në Njësinë Administrative Nr. 2 në Tiranë, do të marrë zgjidhje.

 

Bashkia e Tiranës ka nisur një investim të rëndësishëm për rikonstruksionin e kolektorit dhe rrjetit të kanalizimeve, i cili prej kohësh ishte amortizuar si pasojë e mbushjes dhe bllokimit me materiale inerte. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet e nisura dhe theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur para qytetarëve.

 

“Ndihem shumë mirë sot që kthehemi dhe u shtrëngojmë dorën qytetarëve me një premtim të mbajtur. Kjo ka qenë ndoshta këneta më e madhe urbane në një qytet si Tirana. Them kënetë e madhe urbane sepse reshja e parë e shiut e kthente këtë mëhallë në një “govatë”, ku baltovina, mushkonjat dhe problematikat që shkaktonte uji i ndenjur ishte shqetësimi kryesor i banorëve”, tha Veliaj.

 

Duke garantuar se Bashkia e Tiranës do të bëjë përpjekjet maksimale për përmirësimin e infrastrukturës, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të jenë korrekt me pagesat e ujit: “Bashkia dhe Ujësjellësi po bëjnë përpjekje maksimale, por kjo kërkon edhe pak bashkëpunim nga qytetarët. Vetëm kur Bashkia është në krye të punëve dhe qytetarët janë të përgjegjshëm, mund të kemi një qytet model, siç ka filluar të sillet Tirana sot. Tirana ka sot çmimin më të ulët të ujit nga të gjitha qytetet e bashkitë e mëdha, por unë besoj se po merr shërbimin më të lartë e cilësor. Ftoj të gjithë qytetarët të jenë korrektë me faturat e ujit”.

 

Kreu i Bashkisë së Tiranës përshëndeti qytetarët për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike. Veliaj theksoi se nisma ka gjetur përkrahje, duke sjellë një ulje të përdorimit të qeseve me 60%: “Qytetarët e kanë dhënë një kontribut të qenësishëm, duke reduktuar përdorimin e qeseve plastike”.Krahas përpjekjes për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike, kryebashkiaku Veliaj kërkoi prej qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në hedhjen e mbeturinave në koshat e posaçëm të vendosur në të gjithë kryeqytetin. Investimi që po kryhet në këtë segment do të jetë totalisht një ndërmarrje e standardeve më të larta, ku janë parashikuar sasitë e reshjeve që mund të bien për 10 vitet e ardhshme.


Më të lexuarat