Secondary Adv

Eurokodet, MZHU sjell kushtet e reja te projektimit ne ndertim

Në 25 vitet e fundit në fushën e ndërtimit në vendin tonë janë shënuar një sërë ndryshimesh. Materialet si betoni e çeliku kanë evoluar, kushtet teknike i’u referohen markave të betonit e çelikut, ndërsa sot në industrinë e ndërtimit përdoren klasat dhe kategoritë e këtyre materialeve.

 

Faktorë të tjerë që janë në ndryshim janë metodat e llogaritjeve dhe programet inxhinierike, ndryshimet e të cilave duhet të paraqiten gjithashtu në kushtet teknike.Mospërputhjet mes kushteve teknike ekzistuese dhe gjendjes reale të sektorit të ndërtimit në vendin tonë paraqesin rrezikshmëri për qëndrueshmërinë e strukturave, por edhe për sigurinë e jetës.


Kjo situatë sjell nevojën e adoptimit në vendin tonë të kushteve të reja të projektimit. Për këtë arsye  Ministria e Zhvillimit Urban realizoi përkthimin, përpunimin, përshtatjen, redaktimin, korrektimin letrar dhe recensimin e versioneve të fundit të Eurokodeve EN 1994 , EN 1995, EN 1996, EN 1997, EN 1998 (pjesët 3, 4 dhe 6) dhe EN 1999.


Përshtatja e Eurokodeve kryhet në respektim të angazhimit të marrë në kuadrin e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së dhe nga marrja e statusit të vendit kandidat, për përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë evropian, veçanërisht nga Neni 75 i MSA-së ku theksohet nevoja për të siguruar gradualisht përputhshmërinë e rregulloreve teknike kombëtare me rregulloret teknike të Komunitetit Evropian. Për t’iu përgjigjur kushteve dhe nevojave të vendit tonë, si dhe për t’u përshtatur me kriteret dhe treguesit që aplikohen sot në Evropë dhe në botë në fushën e ndërtimit është i nevojshëm zëvendësimi i Kushteve Teknike të Projektimit ekzistuese.

 

Zbatimi i Eurokodeve në vendin tonë do të sjellë përmirësimin e metodave të projektimit për veprat e ndërtimit, çka do të ndikojë dhe në përmirësimin e cilësisë së zbatimit të punimeve dhe kontrollit të tyre, në plotësimin e kërkesave për shëndetin dhe sigurinë, si dhe në plotësimin e kërkesave të standardeve për materialet e ndërtimit dhe rritjen e cilësisë së tyre, duke ndikuar më konkretisht në:


Rritjen e cilësisë së projektimit dhe zbatimit të punimeve në fushën e ndërtimit;
Rritjen e cilësisë së produkteve dhe punimeve të ndërtimit, duke ndikuar në rritjen e sigurisë;
Stimulimin e konkurrencës së ndershme;
Rritjen e kapaciteteve të operatorëve ekonomikë;
Përdorimin e udhëzuesve, manualeve, standardeve, programeve kompiuterike dhe materialeve të tjera, që kanë lidhje me fushën e ndërtimit,  të botuara nga organizmat evropian.


Eurokodet janë standarde Evropiane (rregulla teknike të harmonizuara) që specifikojnë mënyrën se si duhet të kryhet projektimi strukturor. Ato janë krijuar nga Komiteti Evropian për Standardizimin, me kërkesë të Komisionit Evropian si një mjet për të provuar përmbushjen e kërkesave thelbësore të përcaktuara në Rregulloren e Produkteve të Ndërtimit Nr. 305/2011, veçanërisht të kërkesave thelbësore për rezistencën dhe qëndrueshmërinë mekanike si dhe sigurinë në rast zjarri, për punimet e ndërtimit dhe inxhinierisë civile. Që prej muajit mars të vitit 2010 Eurokodet janë të detyruara për kontratat e punëve publike të Bashkimit Evropian dhe do të bëhen de fakto standardet e sektorit privat. Eurokodet kanë zëvendësuar kodet kombëtare ekzistuese të ndërtimit të publikuara nga organizmat kombëtare të standardeve, megjithëse në shumë vende është lejuar një periudhë bashkekzistence.


Më të lexuarat