Secondary Adv

Matesit e energjise, projekti per faturim me te lire naten


Mirë menaxhimi i sektorit të energjisë sjell strategjinë e re të matësve “smart” për të bërë përllogaritjet sipas metodave bashkëkohore. Sektori i energjisë është sfida që ka marrë jo vetëm investimet e Bankës Botërore, por që pritet të bëhen edhe investime të tjera, nga partnerë të tjerë, për të përmirësuar shërbimin.

 

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri deklaroi dje gjatë interpelancës në parlament se përmirësimi i sektorit nuk ka të bëjë vetëm me humbjet në rrjet dhe mbledhjen e faturave, por edhe në një sistem të ri matës. Dje, ministri Gjiknuri hodhi idenë se në të ardhmen Shqipëria do të jetë ndër vendet që do të aplikojë çmime të ndryshme për orë të ndryshme gjatë 24 orëshit.

 

 

Matesit e energjise elektrike “smart”


Sistemi dhe matësat “smart” do të mund të bëjnë diferencën në përllogaritjen e energjisë.“Ashtu siç është edhe në botën e zhvilluar, që gjatë natës tarifat e energjisë elektrike janë më lirë se gjatë ditës, edhe Shqipëria duhet të shkojë drejt kësaj. Por kjo kërkon investime të reja jo vetëm në sistemin e shpërndarjes, por edhe atë të matjes”- u shpreh Gjiknuri në parlament.


Sipas ministrit, kjo do të ndihmojë konsumatorët, të cilët, në varësi të të ardhurave mujore të mund të bëjnë edhe përllogaritjet se kur do të bëjnë edhe aktivitet që shoqërohen nga konsumi i energjisë. Përveç 150 milionë dollarëve që Banka Botërore ka investuar për sistemin e shpërndarjes, në muajin shtator, janë edhe 52 milionë dollarë të tjera që, sipas Gjiknurit, do të investohen në sektorin e energjisë elektrike.


Investimet në sistemin e matjeve do të bëhet në teknologji të reja që shkallëshkallë të përdoren edhe në Shqipëri. “Çmimet e pikut dhe çmimet e natës, edhe Shqipëria mund ta ketë këtë, që ata që kanë vështirësi ekonomike ca gjëra mund ti bëjnë natën. Duke përllogaritur të ardhurat e tyre të mund të bëjnë stilin e jetës të pakufizuar nga fatura e energjisë”-tha ministri.


Marrëveshja me Cez përmbyll edhe procesin e zgjidhjes me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve, që u nënshkrua në qershor të këtij viti. Me anë të kësaj marrëveshje, tashmë 100 për qind të aksioneve të shoqërisë OSHEE i kalojnë shtetit shqiptar dhe në këtë mënyrë përfundon edhe faza e administrimit të përkohshëm të shoqërisë e cila kishte filluar që në Janar të 2013- ës.


Përfundimi i këtij procesi i krijon tanimë mundësinë qeverisë që të fillojë reformimin në mënyrën e administrimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe në sajë edhe në mbështetjes së donatorëve, të ndërhyjë për kryerjen e investimeve që synojnë përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes në të gjithë komponentët dhe rritjen cilësore të shërbimit ndaj konsumatorëve.


Më të lexuarat