Secondary Adv

Buxheti del me suficit, ja sa u rriten te ardhurat

Arkëtimi i të ardhurave të buxhetit vazhdon të ketë performancë pozitive, duke vazhduar stabilitetin fiskal të nisur në fillim të vitit.


Për periudhën janar-prill totali i të ardhurave që kanë hyrë në buxhet është 139,9 miliardë lekë, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave, duke shënuar një rritje 5,1 për qind në raport me planin. Kjo periudhë fiskale është mbyllur me suficit buxhetor, ku ndryshe nga të ardhurat që janë arkëtuar me tepër se plani, shpenzimet janë realizuar më pak në raport me planifikimin. Shpenzimet në raport me planin janë 33 milionë dollarë më pak.


Të ardhurat
Ndikimin kryesor në këtë rritje kanë vijuar ta japin të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat jotatimore dhe të ardhurat nga fondet speciale. Të ardhurat nga TVSH-ja, një nga treguesit kryesorë të qarkullimit në ekonomi, u rritën me 0,6 për qind apo 267 milionë lekë në raport me planin e vendosur. Zëri që vazhdon të mbajë peshën kryesore të të ardhurave në buxhet janë arkëtimet nga tatimet dhe doganat, të cilat janë rritur 5,5 miliardë lekë në raport me planin. Ky zë ka ndikuar në rritjen e totalit të të ardhurave, të cilat në raport me planin janë realizuar 6,8 miliardë lekë më shumë.
Po të bësh një krahasim të ardhurave në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2016, rezulton se ato janë rritur 8,6 miliardë lekë më shumë. Performancë negative, referuar statistikave, vazhdojnë të shënojnë taksat që mblidhen nga pushteti vendor, taksa për ndërtesën është arkëtuar me minus 372 milionë lekë më pak se plani.


Ndryshe nga të ardhurat, shpenzimet e qeverisë për 4 muajt e parë të vitit kanë qenë më pak se ato që ishin planifikuar. Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar më pak se plani me rreth 667 milionë lekë. Statistikat tregojnë se në raport me një vit më parë këto të ardhura janë realizuar 180 milionë lekë më pak.


Shpenzimet
Referuar të dhënave qeveria ka tkurrur totalin e shpenzimeve me 33 miliardë lekë apo rreth 33 milionë dollarë. Shpenzimet kapitale apo, siç njihen ndryshe fondet e buxhetit për investime, kanë pasur tkurrje me 1,2 miliardë lekë më pak. Qeveria kishte planifikuar të shpenzonte për investimet në 4-mujorin e parë 15,7 miliardë lekë, ndërsa janë realizuar 14,4 miliardë lekë.


Por ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në konferencën e fundit për shtyp para largimit hodhi poshtë të gjitha dyshimet se investimet mund të kenë pasur ecuri negative. Ish-ministri i Financave Ahmetaj pohoi se investimet janë përshpejtuar dhe se shpenzimet janë mbajtur në kontroll, ashtu siç ishte rënë dakord edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.


Statistikat zyrtare tregojnë që pak shpenzime janë kryer për projektet e investimeve me financim të huaj, ku në raport me planin janë realizuar 1,6 miliardë lekë më pak. Kjo ecuri e investimeve me financim të huaj shoqërohet edhe për shkak të natyrës së kontratave që ato kanë. Qeveria ka planifikuar që deri në fund të vitit për investimet të shpenzojë 74 miliardë lekë.


Më të lexuarat