Janar-maj 2017, rritet me 9.5 per qind numri i turisteve qe kane hyre ne Shqiperi
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në pesë muajt e parë 2017 është rritur me 9.5 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016, duke shkuar në 1.321.474. Shifrat raportohen nga Instituti i Statistikave, në botimin e sotëm “Lëvizjet e shtetasve në Shqipëri” maj 2017.
Sipas të dhënave, rritje ka pasur në numrin e shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për pushime të gjata, pra jo për vizitat njëditore, pasi për periudhën janar- maj 2017 ky numër ka qenë 366.919, nga 132.729 që ka qenë të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. INSTAT raporton gjithashtu se, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në maj 2017 është 721.054. Krahasuar me majin 2016, ky tregues rezulton me rritje 1,9 %.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 360.082. Krahasuar me majin 2016, ky numër është rritur me 0,4 %. Numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë në maj 2017 rezulton nga Kosova me 29,3 %, pasuar nga hyrjet e shtetasve nga Maqedonia me 13,6 %, Mali i Zi me 10,1 %, Greqia me 8,8 %, bën të ditur Agjencia Kombëtare e Turizmit.