Secondary Adv

Zgjedhjet, fiton Partia Socialiste me 74 mandate, planet ekonomike 4 vitet e ardhshme

Kur kanë mbetur edhe shumë pak kuti për t’u numëruar, Partia Socialiste është tashmë fituesja e zgjedhjeve të përgjithshme, çka i jep mundësinë asaj që të qeverisë e vetme vendin për 4 vitet e ardhshme.

 

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur janë numëruar 95% e kutive, Partia Socialiste ka marrë 48.36% të votave, që i mundësojnë asaj që të ketë 74 mandate në Parlament. Në vend të dytë është Partia Demokratike me 28.87% të votave, me 43 vende në Parlament. Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 14.43%, me 19 deputetë. 1 deputet ka marrë Partia Social Demokrate dhe 3 deputetë Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

 

Planet ekonomike për katër vitet e ardhshme
Partia Socialiste ka deklaruar se do t’i qëndrojë tatimit progresiv, por me një reduktim të lehtë. Tatimfitimi do të mbetet 15%, ndërsa parashikohet që tatimi mbi dividendin të zbresë nga 15% që është sot në 6%. Do të ketë përshkallëzim të tatimfitimit për bizneset inovative në 5%. Për tatimin mbi pagat do të vazhdohet me progresivitetin, vetëm se norma maksimale do të zbresë nga 23% që është sot në 18%. TVSH mbetet 20%, ndërsa vetëm në prill 2017, për herë të parë TVSH u përshkallëzua në 6% për shërbimet e turizmit. TVSH e lëndëve të para bujqësore do bëhet zero. Socialistët premtojnë edhe 220 mijë vende pune të reja. Ky premtim nuk intrigon më askënd, pasi ai i mëparshmi për 300 mijë vende pune u pranua që dështoi. Pritshmëritë e Partisë Socialiste për rritjen ekonomike afatmesme variojnë në 5-5.5%, ndërsa do të vazhdojë politika e konsolidimit fiskal, për uljen e borxhit publik afër 60% të PBB-së në afatin e mesëm.

 

Barra tatimore katër vitet e ardhshme
-Tatimfitimi mbetet 15%, por përshkallëzohet në 5% për bizneset e teknologjisë së informacionit
-Dividendi do të ulet nga 15 në 6%
-Niveli më i lartë i tatimit progresiv mbi pagat ulet nga 23% në 18%
-220 mijë vende të reja pune
-Do të bëhen zero inputet e TVSH-së bujqësore


Më të lexuarat