Secondary Adv

Ndryshon ligji per ndertimet ne tokat bujqesore, vetem objekte te perkohshme


Në tokat bujqësore do të lejohen vetëm objekte të përkohshme të cilat nuk janë të lidhura në mënyrë të përhershme me tokën dhe që nuk shpien në ndryshimin e destinacionit të përdorimit të saj.


Përmes dy vendimeve të djeshme Këshilli i Ministrave ka shtrënguar procedurat e përdorimit të tokës bujqësore për qëllime që nuk kanë të bëjnë me këtë fushë. Nga ana tjetër, në tokat bujqësore do të lejohen vetëm struktura të përkohshme të cilat nuk janë të lidhura në mënyrë të përhershme me tokën dhe që nuk shpien në ndryshimin e destinacionit të përdorimit të saj.

 


“Në tokat bujqësore, në të gjitha kategoritë e bonitetit, miratimi i kalimit të sipërfaqes për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave”, përcakton një prej ndryshimeve në ligjin “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës”.


Për objektet e parashikuara në pikën e mësipërme, në asnjë rast nuk lejohet ndryshimi i destinacionit të objektit ndërtimor, ndërkohë që tipat e objekteve, rregullat, kriteret dhe procedurat për ndërtimin e tyre, do përcaktohen vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave.


Ndërkohë që disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, ndalojnë veprimtaritë ndërtimore në tokat bujqësore, me përjashtim të disa rasteve të parashikuara me ligj. “Në tokat bujqësore lejohen vetëm ndërtimet e përkohshme, të cilat nuk janë të lidhura në mënyrë të qëndrueshme dhe të përhershme me tokën, që janë të nevojshme për ushtrimin e aktivitetit bujqësor dhe blegtoral”, përcakton Këshilli i Ministrave.


Më të lexuarat