Secondary Adv

Ekonomia surprizon BSH, rritja do jete me e larte se parashikimi

Banka e Shqipërisë (BSH) vlerëson se ekonomia shqiptare po i afrohet kufirit potencial të rritjes e lidhur kjo me rënien e papunësisë si dhe ecurinë e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve drejt një mesatareje historike.

 

Kjo pritet të reflektohet në një rritje të pagave dhe orientimin e biznesit drejt marzheve mesatare historike të fitimit. Për surprizën e Bankës, norma e rritjes, sipas gjithë faktorëve të marrë në analizë, do të jetë më e lartë se projeksionet që vetë ky institucion kishte bërë në fillimet e vitit. Detajet i dha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko pas takimit të Këshillit Mbikëqyrës. Sejko u ndal edhe në aspekte të tjera të lidhura me konsolidimin fiskal, inflacionin, mbiçmimi e kursit të këmbimit dhe politikën monetare ndërkohe që theksoi se një rol të rëndësishëm tek rritja ekonomike ka pasur përmirësimi i bilancit tregtar dhe rritja e vëmendjes ndaj Shqipërisë si një destinacion turizmi. Madhësia e shkëmbimeve dhe kontributi i tyre në Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas bankës nuk është mbështetur në faktorë me efekt afatmesëm.

 

Inflacioni

Inflacioni erdhi në rënie nga mesatarja prej 2.4 për qind në tremujorin paraardhës. Rënie e inflacionit sipas BSH ishte pasojë e goditjes së ofertës dhe nga efekti i mbiçmimit të kursit të këmbimit. Ky efekt ishte sidomos reflektim i çmimeve të importit dhe kryesisht tek artikujt ushqimorë. Projeksionet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin në 6-mujorin e dytë 2017 janë për një rënie të lehtë nga 2.3% në 2.2 %.

 

Konsolidimi fiskal

Banka vlerësoi se qeveria ka vijuar politikën e saj të konsolidimit fiskal por kjo e fundit nuk ka të njëjtin intensitet të një viti më parë.

 

Kursi i këmbimit dhe politika monetare

Banka qendrore vlerëson se, intensiteti aktual i mbiçmimit të kursit  që ka ardhur si efekt i bilancit të shkëmbimit tregtar dhe investimeve, do të vijë drejt uljes. “Kjo do të reduktohet në afatmesëm. Politika monetare akomoduese përmes normës së ulët dhe injektimit të likuiditetit bashkë me informimin e tregut për kahun që do të mbajë politika në vazhdim është përcjellë në gjithë segmentet” vlerësoi Sejko. Në fund Guvernatori bëri me dije se Këshilli Mbikëqyrës vendosi që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit të lekut në 1.25%.


Më të lexuarat