Secondary Adv

Hotelet me 4-5 yje me vlere mbi 8 mln euro pa taksa, FMN kritika

Qeveria ka miratuar projektligjin që parashikon një mbështetje të veçantë për hotelet me 4 dhe 5 yje. Sipas vendimit këto struktura do të përfitojnë 10 vite aktivitet pa asnjë taksë nëse marrin statusin si "Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, "status special" i cili jepet nga këshilli i ministrave me propozim të ministrit të turizmit.

 

Por për të marrë këtë status duhet që vlera e investimit për ndërtimin e strukturave akomoduese të jetë mbi 8 milion euro për hotelet me 4 yje dhe 15 milion euro për hotelet me 5 yje. Kriteret e tjera, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin e veçantë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Subjektet, që përfitojnë statusin nënshkruajnë marrëveshje zhvillimi me ministrinë përgjegjëse për turizmin, në të cilën parashikohen detyrimet e ndërsjella, afatet e realizimit të projektit, si dhe pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella. Por kjo nismë e qeverisë nuk është mirëpritur nga grupet e interesit si dhe nga FMN.

 

Grupet e interesit deklarojnë se investitorët e mëdhenj kërkojnë një sërë kushtesh për të ardhur në Shqipëri dhe nuk tërhiqen vetëm prej lehtësirave fiskale. Sipas tyre investitorët e mëdhenj kërkojnë aeroporte pranë zonave turistike, infrastrukturë të mirë si dhe një mjedis të pastër.

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar nga ana tjetër e sheh këtë nismë një prishje barazisë mes investitorëve të vegjël e të mëdhenj çka le hapësirë për evazion. Edhe disa deputetë të maxhorancës e kanë kundërshtuar këtë nismë duke kërkuar përfshirje edhe të disa kategorive të tjera në këtë projektligj siç është agroturizmi.


Më të lexuarat