Secondary Adv

Rreziku i informalitetit, Sejko: Cenon stabilitetin ekonomik

Lufta ndaj bilanceve të dyta është parashikuar edhe në aktet rregullative të Bankës së Shqipërisë. Duke filluar nga viti 2018, bankave nuk do t’iu lejohet të japin kredi bazuar në të dhëna apo raporte financiare jozyrtare dhe të pa certifikuara.

 

Guvernatori, Gent Sejko tha të martën se informaliteti është një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik e financiar të vendit dhe kërkoi nga bankat të bëhen pjesë e luftës ndaj këtij fenomeni. “Unë doja të ndalesha shkurt edhe në kontributin e sektorit bankar në luftën kund informalitetit. Një fenomen ky mjaft i dëmshëm dhe fatkeqësisht me një shtrirje të gjerë në ekonominë shqiptare, aq sa mund të konsiderohet një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit. Përdorimi i të dhënave të certifikuara nga autoritetet, sa i takon bilancit të kompanive, ashtu edhe aktorëve të tjerë ekonomikë është kthyer në një domosdoshmëri, mbi të gjitha këto janë masa prudenciale të cilat rrisin nivelin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë, veçanërisht në fushën e kredidhënies.

 

Reforma ndaj informalitetit është bërë më prioritare për autoritet shqiptare dhe sektori bankar me rrjetin e tij, ekspertizën dhe njohuritë që shumë prej jush i mbartin me vete nga vendet e origjinës, duhet të ofrojnë ndihmesën për këtë qëllim të përbashkët që ne të gjithë kemi”, u shpreh Guvernatori i BSH. Sejko kërkoi sërish nga bankat të jenë më mbështetëse ndaj kreditimit, por shmangu çdo referim të drejtpërdrejtë për projektet e Partneritetit-Publik Privat dhe për “Platformën 1 miliard euro”.

 

“Bilancet e bankave janë pastruar dhe gjendja financiare paraqitet sot më e shëndetshme. Pikërisht për këtë arsye ne si Bankë Qendrore mendojmë dhe kërkojmë që brenda niveleve të përgjithshme të prudencës të shfrytëzoni çdo mundësi dhe hapësirë për të identifikuar projekte dhe plane biznesi, të cilat meritojnë të mbështeten me financim. Ka ardhur momenti që kredidhënia të zërë vendin që i takon në mbështetjen e ekonomisë dhe kjo kërkon profesionalizëm, energji, integritet dhe përkushtim nga ana e industrisë bankare”. Guvernatori kërkoi gjithashtu që bankat të shtojnë përpjekjet e tyre në drejtim inovacionit teknologjik, por edhe në drejtim të edukimit dhe përfshirjes financiare të publikut.


Më të lexuarat