Secondary Adv

Hotelet me 4-5 yje, qeveria cakton ku do te ndertohen dhe lehtesirat fiskale

Ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë nisma më e fundit e qeverisë shqiptare për nxitjen e turizmit. Nisur nga ecuria pozitive në këtë sektor vitet e fundit, si dhe nga konkurrenca e fqinjëve, që kanë një përvojë më të gjatë në këtë drejtim, Ekzekutivi ka përgatitur ndryshime ligjore, që synojnë të sjellin në Shqipëri edhe turizmin elitar, që ka munguar deri tani.


Zhvillimi
Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2016 ekonomia shqiptare përfitoi 1.5 miliardë euro të ardhura nga turizmi, duke qenë e barabartë me 15 për qind të prodhimit kombëtar. Por, shpejtësia, me të cilën po rritet numri i turistëve të huaj në vend, nuk po shoqërohet ende me po të njëjtin ritëm sa i përket nivelit të përmirësimit të infrastrukturës pritëse dhe akomoduese turistike. Ndonëse hotelet dhe strukturat akomoduese po shtohen, të ndihmuara edhe nga ulja e TVSH-së për akomodimin nga 20% në 6%, standardet e shërbimit dhe cilësia e përgjithshme që ato ofrojnë lë ende për të dëshiruar.

 

Përveç kësaj, edhe ato pak struktura akomoduese të nivelit relativisht të lartë që ka sot vendi, janë të përqendruara kryesisht në Tiranë dhe numri i tyre në bregdetin shqiptar apo zonat malore mbetet mjaft i kufizuar. Nisma e qeverisë synon t’u ofrojë lehtësi operatorëve vendas apo të huaj për investime të mëdha në Shqipëri në sektorin e turizmit elitar, me anë të lehtësimit të një pjese të taksave dhe të tatimeve, që aktualisht rëndojnë mbi këta investitorë.


Konkurentët
Vendet e rajonit të Ballkanit, duke ofruar lehtësi të konsiderueshme në taksa dhe tatime për investimet e mëdha në turizëm, tërheqin aktualisht më shumë investime të huaja direkte dhe turistë në numër sesa vendi ynë. Kështu, Turqia ul deri në 90% tatimfitimin dhe tatimin mbi të ardhurat personale për një periudhë kohore që nuk i kalon 10 vitet për operatorët e turizmit me mbi tre yje. Tatimi mbi të ardhurat personale në Maqedoni është në nivel 0% për 10 vitet e para, nëse investimi kryhet brenda zonave për zhvillimin e turizmit; TVSH-ja 0% brenda zonave për 10 vitet e para të operimit kundrejt 5% që tashmë është niveli i TVSH-së për turizmin, jashtë këtyre zonave.


Ndërkohë, Mali i Zi, mundëson heqjen e taksave e të tarifave lokale për ndërtimin e hoteleve me 4 ose 5 yje, që përfitojnë një zbritje me 30% të taksës mbi pasuritë e paluajtshme, ndërsa hotelet me 5 yje përfitojnë 70% ulje të kësaj takse.


Më të lexuarat