Secondary Adv

Shkollat e reja me koncesion, vlera totale e projektit arrin 6.5 mld leke

Bashkia e Tiranës ka plotësuar mozaikun e shkollave të reja në Tiranë, duke hapur procedurat edhe për Zonën Tirana 4, me 4 godina arsimore: 2 shkolla 9-vjeçare dhe 2 gjimnaze.

 

Fondi limit për këtë projekt është caktuar 1.42 miliardë lekë, por punimet dhe pajisja e shkollave me pajisje dhe laboratorë do të financohet fillimisht nga vetë koncesionari fitues. Vetëm pas përfundimit të ndërtimeve, Bashkia dhe MASR do t’i paguajnë kompanisë fituese një shumë të caktuar vjetore, deri në përfundimin e plotë të shumës së investuar brenda afateve të kontratës, 7 vite e 18 muaj. Nga afatet e kësaj kontrate, pritet që ndërtimi i shkollave të përfundojë për 18 muaj, ndërsa për 7 vitet e ardhshme, kompania fituese do të shërbejë si administratore e këtyre godinave arsimore.


Për Zonën Tirana 4 objektet e reja mësimore janë si më poshtë:
Shkollë 9-vjeçare pranë rrugës “5 Maji”, kapaciteti 20 klasa, 600 nxënës
Shkollë 9-vjeçare pranë Drejtorisë së Higjienës, kapaciteti
Shkollë e mesme pranë rrugës “5 Maji”, kapaciteti 21 klasa, 630 nxënës
Shkollë e mesme në NJA Dajt, pranë Lumit Lana afër rrugës Sotir Caci, kapaciteti 21 klasa, 630 nxënës


Procedurat për këtë tender do të qëndrojnë të hapura deri më 16 Janar 2018, periudhë pas së cilës do të vlerësohen ofertat dhe përzgjidhet fituesi i kualifikuar, në bazë të kritereve, ku rol kryesor zë oferta ekonomike. Shuma totale për godinat arsimore në të gjitha Zonat e Tiranës, arrin në 6.56 miliardë lekë, vlerë që zë një pjesë të vogël të projektit “1 Miliard Dollarë”, vetëm 58.3 milionë USD. Ndërkohë, gati 300 milionë dollarë i zë vetëm projekti i Rrugës së Arbrit.


Duke parë hartën e mëposhtme, ku janë të pozicionuara shkollat e reja, vihet re se ato do të ndërtohen në Unazën e Madhe të qytetit ose në njësitë administrative, për të lehtësuar edhe nxënësit që shkojnë drejt shkollave më në qendër të Tiranës. Krahas qëllimit kryesor, reduktimit të ngarkesës nëpër klasa dhe heqjen e mësimit me dy turne, cilësia dhe kushtet e godinave pritet të ofrojnë një mjedis më stimulues për nxënësit, duke rritur dhe interesin e tyre ndaj mësimit. Një shembull që Bashkia e Tiranës do të ndjekë në këtë drejtim, është ai i qytetit Medellin në Kolumbi, ku 10 vitet e fundit janë ndërtuar dhe rikonstruktuar një numër i konsiderueshëm shkollash tërheqëse dhe kreative, në mënyrë që të nxisë edukimin cilësor dhe zhvillim në zonat përreth.


Më të lexuarat