Secondary Adv

Mirembajtja e rrugeve, BB: Kontratat po modifikohen, ka kontradikta dhe mosperputhje

Share on Google+

Kontratat e nënshkruara mes qeverisë shqiptare dhe operatorëve fitues për mirëmbajtjen e rrugëve mbi bazë performance janë në fazë rishikimi.

 

Banka Botërore, e cila është edhe financuesja e projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore bazuar në Rezultate” me një vlerë prej 65.9 milionë eurosh, në rishikimin e fundit të ecurisë, ka raportuar se aktualisht po rishikohen kontratat e lidhura me operatorët fitues. “Kontratat e rrugëve po kalojnë në një fazë modifikimi dhe duhet të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur për të garantuar zbatim të suksesshëm dhe në mënyrë që përdoruesit e rrugëve shqiptare të përfitojnë.


Këto çështje lidhen në pjesën më të madhe me volumin e punëve rehabilituese (asfalt dhe të tjera) që janë të nevojshme për të sjellë rrugët në nivele specifike të shërbimit. Volumi i këtyre punëve u keq vlerësua gjatë periudhës së përgatitjes së projektit dhe kushtet e këtyre rrugëve kanë ndryshuar. Po kështu ka edhe disa çështje të tjera që kanë nevojë të adresohen përmes rishikimit të Specifikimeve dhe pjesëve të tjera të kontratës, që ndonjëherë nuk janë të qarta dhe ku ka kontradikta dhe mospërputhje” thuhet në raportin e publikuar nga Banka Botërore.


Projekti për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore synon të ruajë e mirëmbajë kushtet, si dhe të përmirësojë sigurinë e rrjetit rrugor, të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm dhe eficient të vlerave të rrugëve dhe kushteve të sigurisë në përfitim të përdoruesve të tyre. Në total përfshihen 1334 kilometra rrugë kombëtare dhe me një vëllim të lartë qarkullimi. Në total, projekti ka një vlerë prej 128.47 milionë euro, ku përveç vlerës që financon Banka Botërore, janë edhe 62.57 milionë euro të financuara nga qeveria shqiptare.


Kontratat dhe fituesit
Në total janë katër kontrata të lidhura me operatorët që kanë fituar garën gjatë procedurës së zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

E para, është zona A që përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me një gjatësi në kilometra 278,9 dhe me një vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.

E dyta, është zona B që përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër me gjatësi 286 kilometra dhe me një vlerë 19.6 milionë euro e fituar edhe kjo nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.

E treta, zona C, përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje Fier-Elbasan – Korçë me gjatësi 419 kilometra me një vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë Rawafed Al-torok Contracting Establishment.

E katërta zona D, rajoni jugor-Vlorë-Gjirokastër, me një gjatësi 350 kilometra, vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues Elicatechnical Commerce Societa & Salillari shpk.


Kontratat do të ketë një afat zbatimi 5-vjeçar./Ballkanweb


Me te lexuarat