Secondary Adv

Bizneset raportojne renie te informalitetit, problem mbetet puna ne te zeze

Bizneset raportojnë për informalitetin në 2017, se ka rënie të lehtë në krahasim me 2015, ndërkohë që pragu i tatimfitimit dhe TVSH, marrëdhënia me administratën dhe zbatueshmëria e ligjit, mbeten faktorët kryesorë që influencojnë informalitetin.


Konkurrenca e pandershme nga aktivitetet informale vazhdon të mbetet shqetësim i konsiderueshëm i biznesit edhe në vrojtimin e 2017. Rreth 69 për qind e bizneseve shprehen se ndeshen me një formë apo tjetër të informalitetit në fushën e aktivitetit të tyre. Megjithatë, edhe pse shprehen që ndeshin konkurrencë informale, pjesa më e madhe nuk pranojnë se kanë informalitet në aktivitetin e tyre.


Janë këto disa nga gjetjet e anketës së Biznesit mbi Klimën e Investimeve për 2017, që u prezantuan në mbledhjen e Këshillit të Investimeve. Pyetësori u krye online gjatë periudhës korrik – shtator 2017 dhe u plotësua nga 146 kompani dhe objekt i vrojtimit ishte kontrolli tatimor, rimbursimi i TVSH-së, marrëdhëniet me administratën tatimore dhe informaliteti. Të pyetur nëse kanë strategji për t’u formalizuar, në shumicë, bizneset janë përgjigjur që nuk kanë informalitet në aktivitetin e tyre.


Sipas raportit, vërehet se ka një mospërputhje nga përgjigjet e vetë bizneseve, ndërmjet perceptimit të lartë mbi informalitetin në sektorin e tyre, ku 69 për qind e përgjigjën se ndeshen me informalitetin gjatë eksperiencës konkrete dhe 74 për qind deklarojnë se nuk kanë informalitet në aktivitetin e tyre. Bizneset raportojnë për 2017 se evazioni fiskal është natyra më e shpeshtë e shfaqjes së informalitetit, e pasuar nga puna në të zezë. Puna në të zezë qëndron në të njëjtat nivele si në 2015, ndërkohë ka rënë fenomeni i bizneseve të paregjistruara.


Ka një ndryshim pozitiv të perceptimit për korrupsionin dhe kontrabandën nga 2015 dhe pse sërish mbetet në nivele të larta. Reduktim i burokracive administrative, rritja e profesionalizimit të administratës, por dhe incentiva për bizneset e ndershme dhe që investojnë, janë disa nga kërkesat kryesore të biznesit për të nxitur formalizimin e shpejtë të ekonomisë dhe investimet private.


Më të lexuarat