Secondary Adv

Investimet e huaja, TAP dhe Devolli do te kompensohen me investime te reja

Investimet e huaja direkte luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit. Dy projektet që kanë dhe peshën më të madhe  janë “TAP” dhe “Devolli”, të cilat priten të përfundojnë këtë vit.


Por qeveria është optimiste se nuk do të ndjehet mungesa e tyre, pasi ato do të vazhdojnë të jenë produktive në ekonominë tonë. Sipas shifrave të paraqitura nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, investimet e huaja direkte për 9 mujorin e vitit 2017 kapen vlerën e 676.6 milion euro, ndërkohë që pritshmëritë për gjithë vitin janë më të larta.

“Në qoftë se do të ecim me të njëjtin term si tremujori i tretë dhe i katërt, atëherë do të kapim pothuajse të njëjtën shifër që kemi kapur në vitin 2016. Dua të theksojë që këto investime që në dy vitet që vijnë janë në fazat e përfundimit dhe të hyrjes së operimit në ekonominë shqiptare të tyre, qoftë të Devollit, qoftë të TAP-it. Patjetër që këto dy investime të mëdha do të zëvendësohen nga investime serioze në turizëm, në ndërtim dhe në bujqësi, por në aspektin tjetër, duhet të mendoni që përfundimi i investimeve të huaja rrit produktivitetin e ekonomisë shqiptare”.


I pyetur nga TV SCAN,  se a ka ndonjë projekt konkret më të cilat priten që të “kompensohen” TAP dhe Devolli, Ahmetaj iu përgjigj:
“Ka dy komponentë që barazojnë dhe tejkalojnë, i pari është rritja organike e investimeve të huaja, janë 1100 kompani të huaja neto në vitin 2017, që nuk janë as TAP-i as Devolli, por janë kompani me 8 milionë, me 10 milionë që furnizojnë atë gjenerimin e rritjes organike ekonomike dhe të investimeve të huaja. E dyta, janë disa projekte të mëdha, duke filluar që nga aeroporti i Vlorës, apo disa projekte të rëndësishme më turizëm”.
Gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë një sërë ndryshimesh ligjore për përmirësimin e klimës së biznesit, sidomos për thithjen e investitorëve të huaj.
Kështu  gjatë 2017 u miratuan disa lehtësi ligjore dhe fiskale për investimet në sektorin e turizmit, të cilat pritet të sjellin marka të njohura në vendin tonë./SCAN


Më të lexuarat