Secondary Adv

Qeveria, kredi per rrugen Milot-Shkoder, Vaqarr-Kavaje e per ndertimin e bypass-it te Elbasanit

Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend marrëveshjen e realizuar me “Cassa Depositi e Prestiti S.p.A”, për projektin me objekt “Studime fizibiliteti, hartim dhe planifikim në nivel përfundimtar dhe studim të ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës”, me një hua të butë në shumën 2 100 000 euro.

 

Nga ky fond, 1 950 000 euro do të përdoren për financimin e tri studimeve të fizibilitetit, hartimin dhe planifikimin në nivel përfundimtar dhe studimin e ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës dhe 150 000 euro do të përdoren për financimin e aftësimit për punë të njësisë teknike në MTI.

 

Objektivi specifik i programit të financuar me anë të kësaj marrëveshjeje është t’i japë ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën në Republikën e Shqipërisë instrumente projektuese menjëherë të tenderueshme për fuqizimin e qarkullimit përgjatë drejtimeve Veri – Jug dhe Lindje – Perëndim, më konkretisht, për veprat e mëposhtme të infrastrukturës:

– Zgjerimin e rrugës (dyfishimin – dublimin e aksit rrugor) nga Miloti në Shkodër.

Dublimi i aksit rrugor nga Miloti në Shkodër është bërë më se i nevojshëm si rezultat i trafikut të rënduar kohët e fundit, sidomos gjatë stinës së verës kur turistë të shumtë frekuentojnë plazhet e Shëngjinit, Velipojës, Ulqinit etj. Dublimi i këtij seksioni do t`u japë zgjidhje të gjitha hyrjeve dhe daljeve pa leje, duke e përmirësuar shumë sigurinë rrugore.

– Krijimin e lidhjes direkte Vaqarr – Kavajë.

Realizimi i lidhjes direkte Vaqarr – Kavajë, në vijim të “By-pass-it të Tiranës” (Tiranë – Vaqarr – Arbanë – Lundër), do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme distancën e përshkruar nga përdoruesit e automjeteve, si për ata që vijnë nga veriu i Shqipërisë edhe për ata që vijnë nga Tirana në drejtim të pjesës jugore të vendit. Rrjedhimisht, do të ulet ndjeshëm trafiku në zonën e plazhit në Durrës dhe në Kavajë, duke ulur njëkohësisht edhe impaktin mjedisor në këto zona.

– Realizimin e by-pass-it të Elbasanit.

Ndërtimi i by-pass-it të Elbasanit do të largonte nga qyteti trafikun e mjeteve të tonazhit të rëndë, që vijnë nga pikat doganore të Qafëthanës dhe të Kapshticës, duke i dhënë frymëmarrje këtij qyteti. Ndërtimi i këtij by-pass-i do të ulë ndjeshëm kohën e lëvizjes së mjeteve transit.

 

“Marrja nga ana e qeverisë shqiptare të projekteve në shkallë “përfundimtare”, pra të tenderueshme, do të krijojë mundësinë për një ulje të ndjeshme të afateve për realizimin e tri veprave infrastrukturore të rëndësishme të sipërpërmendura që, pasi të jenë realizuar, do të japin mundësinë për:

a) uljen e kostove operative të transportit rrugor;

b) uljen e kohës së përshkimit të tyre;

c) uljen e përqindjes së lartë të aksidenteve;

ç) rritjen e qëndrueshmërisë së infrastrukturave rrugore shqiptare;

d) favorizimin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe të fluksit të mallrave e shkëmbimeve me vendet evropiane, nëpërmjet krijimit të infrastrukturave të reja rrugore dhe fuqizimit të atyre ekzistuese.

Ndërtimi i akseve të propozuara në këtë marrëveshje do të përmirësonte shumë lëvizshmërinë e mjeteve, si në aspektin kohor, ashtu edhe në atë cilësor. Gjithashtu, do të rriste sigurinë rrugore në këto akse” shkruhet në relacionin e nismës së depozituar në Kuvend. |SCAN

 


Më të lexuarat