Secondary Adv

Strategjia per turizmin, te pakten 5 resorte me 4 dhe 5 yje deri ne vitin 2022

Numri në rritje i turistëve që vizitojnë Shqipërinë po shoqërohet me një interes të investitorëve për struktura akomoduese të reja.

 

Qeveria në të njëjtën linjë ka dhënë disa incentiva për nxitjen e ndërtimit të strukturave, kryesisht ato me 4 dhe 5 yje brand name, në funksion të rritjes së kapaciteteve akomoduese. Sot që flasim numri i strukturave mbetet i kufizuar dhe akoma më keq, janë të gjitha të paklasifikuara. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit parashikon që deri në vitin 2022 të jenë klasifikuar të paktën 2000 struktura, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Po kështu, pritet që numri i shtretërve të rritet me 30% dhe të bëhet regjistrim me 80% i akomodimit familjar (dhoma, apartamente, shtëpi). Në kuadër të lehtësive parashikohet që numri i resorteve me 4 dhe 5 yje, të shtohet me 5 të tillë që ofrojnë shërbime komplekse deri në vitin 2022.

 

Joshja përmes lehtësive fiskale
Objektivi që deri në vitin 2022 të kemi të paktën pesë resorte me katër dhe pesë yje nuk është i rastësishëm në strategjinë e turizmit. Kushtet lehtësuese fiskale janë të ngjashme me një parajsë për ata që zgjedhin të investojnë në këtë kategori. Në paketën fiskale të vitit 2018 u vendos që strukturat akomoduese me 5 yje brand name që do të marrin status special do të ofrojnë me 6 për qind TVSh përveç furnizimit të shërbimit të fjetjes që aplikohet për gjithë strukturat edhe furnizimin e shërbimeve të tjera. Që do të thotë kafe, resotrant, SPA, masazhe apo çdo lloj shërbimi tjetër.

 

Së dyti është vendosur që të bëhet përjashtim nga tatimfitimi për 10 vjet për çdo investitor me status special me 4 dhe pesë yje. Ky përjashtim zgjat 10 vjet nga momenti kur është marrë autorizimi nga Këshilli i Ministrave dhe afati për të marrë këtë status mbaron në dhjetor 2024. Kjo do të thotë që deri në këtë vit pritet shprehja e interesit dhe paraqitja e projektit. Taksa e infrastrukturës zero është një tjetër lehtësi që qeveria ia dhuroi grupit të investitorëve me 4-5 yje që do të kenë status special. Kjo taksë normalisht paguhet në nivelin 4 për qind të vlerës së investimit në Tiranë dhe 1-3 për qind të vlerës në rajonet e tjera në vend.


Skepticizmi i ekspertëve për mbiofertën
Kthimi i Shqipërisë në “një parajsë” fiskale për investitorët me status special në ndërtimin e hoteleve me katër dhe pesë yje  ka ndryshuar edhe planet e shumë sipërmarrësve të cilët, projektet e kullave në kryeqytet kanë vendosur t’ju ndryshojnë destinacion. Kjo për të përfituar nga lehtësia që ofron skema nxitëse e turizmit e ofruar nga qeveria. Por përtej kësaj nisme ekspertët pranojnë se mund të jemi përpara një flluskë të re në sektor pasi mund të krijohet një mbiofertë në shërbimet për akomodim luksoz, në paradoks me kërkesën pushuesve të huaj që parapëlqejnë shërbime me 3 yje. Orientimi “qorrazi” i investimeve në hotelet luksoze përveçse nuk po shoqërohet me infrastrukturën mbështetëse, rrezikon të deformojë konkurrencën në treg, për shkak se hotelet ekzistuese nuk përfitojnë dhe t’i bëjë joeficiente investimet në të ardhmen. Aktiviteti me shifra zyrtare i hoteleve ekzistuese në Tiranë nuk tregon shkëlqimin në rritje të turizmit, ndërtimi i hoteleve të tjera rrezikon të kthejë në “flluskë” investimet dhe të dëmtojë arkën e shtetit nga të ardhurat e munguara prej ndërtimit të tyre. Këtë vit pritet që kapacitetet akomoduese në shërbimin 4-5 yje të rriten me 23%, me hyrjen në treg të brandit të njohur ndërkombëtar “Hilton”.


Objektivat në strategjinë e turizimit
Një draft strategji pesëvjeçare për turizmin e nxjerrë për konsultime nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit hedh dritë mbi politikat që do të ndërmerren dhe objektivat e qeverisë për sektorin në harkun 2018-2022. Ashtu sikurse e kemi dëgjuar nëpër fjalime politike vit pas viti, problemi që ngre strategjia është si të sjellim më shumë turistë dhe jo si të mbajmë ata që vijnë. Kjo kuptohet sapo i hedh një sy politikave kryesore, ku rritja e shpenzimeve për turizëm apo investimet publike janë të renditura në vendin e katërt.

 

“Pikësynimet kryesore të politikave në fushën e turizmit janë: Rritja e kontributit të turizmit në të ardhurat e përgjithshme të vendit, zhvillimi i balancuar i ofertës turistike dhe shërbimeve, rritja e punësimit në sektorin e turizmit, përmirësimi i nivelit të jetesës dhe zbutja e varfërisë në zonat turistike në të gjithë territorin e vendit, rritja e shpenzimeve për turizëm (investimet publike), rritja e të ardhurave nga aktivitetet dhe shërbimet turistike dhe sigurimi i mbrojtjes ligjore dhe institucionale të të drejtave të udhëtarëve dhe vizitorëve”, – thuhet në strategji. I njëjti dokument nënvizon se duhet vepruar në pesë fusha kryesore siç është zhvillimi i produktit (diversifikimi i ofertës turistike), zhvillimi i burimeve njerëzore (përmirësimi i cilësisë së shërbimeve), marketingu (promovimi i Shqipërisë si destinacion i turizmit gjithëvjetor), investimet private dhe publike dhe së fundmi, kuadri i politikave dhe menaxhimi i destinacioneve.


Më të lexuarat