Financat: Borxhi publik u rrit me shume se PBB ne 2017
Pavarësisht nga përpjekjet për të ulur borxhin publik, kryesisht duke mbajtur “nën fre” shpenzimet për investime nga ana e shtetit, ky borxh po shënon ulje minimale vetëm në raportin me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Por, ndërkohë, ai është rritur gjatë vitit të kaluar më shpejt se sa ky Prodhim.
Shifra
Sipas shifrave zyrtare që ka ofruar dje ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të vitit 2017 në total borxhi publik i Shqipërisë ishtë 1 trilion e 88 miliardë lekë të reja, ose 8 miliardë e 184 milionë euro sipas kursit zyrtar të këmbimit. Një vit më parë, më 31 dhjetor 2016, kjo shifër ishte 1 trilion e 66 miliardë lekë ose 7 miliardë e 887 milionë euro. Rritja nominale e borxhit është kështu në masën 3.77 për qind.
Prodhimi
Ndërkohë, në raportimin e shifrave, ende jopërfundimtare lidhur me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, dikasteri raporton se, nga 1 trilion e 473 miliardë lekë në vitin 2016, PBB-ja ka kërcyer në nivelin e 1 trilion e 555 miliardëve, me një rritje në masën 5.6 për qind. Por kjo është rritja që duhet korrigjuar me inflacionin, i cili, sipas Institutit të Statistikave, ka qenë mesatarisht në nivelin 2 për qind gjatë vitit të kaluar. Duke u “pastruar” nga rritja e çmimeve, rezulton që PBB të ketë shënuar jo 5.6%, por 3.6 për qind rritje. Në këtë mënyrë, rezulton që rritja e borxhit publik të ketë qenë, edhe sipas shifrave zyrtare, më e lartë se ajo e shënuar nga ekonomia e vendit.
Raportet
Megjithatë, ndonëse në rritje me rreth 21.6 miliardë lekë që nga fillimi i vitit, ky borxh rezulton të jetë ulur në raport me PBB-në. Sipas statistikave zyrtare, borxhi rezulton në rreth 69.92% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 72.36%, që raportohej në fund të vitit të vitit 2016. Po sipas këtyre të dhënave, stoku i borxhit të brendshëm llogaritet në 577 miliardë lekë, sa 37.10% e PBB, ndërsa stoku i borxhit të jashtëm llogaritet në 510 miliardë lekë, barabar me 32.81% të PBB-së.
Ecuria
Në një vështrim retrospektiv, borxhi publik ka patur një “shpërthim” të vërtetë në vitin e parë të plotë të mandatit të qeverisë Rama (2014), kur shkoi në 70% të PBB-së, gati 5% më shumë se në vitin e fundit të qeverisë Berisha (2013). Shifra vijoi të rritej: më 2015-ën u arrit kulmi prej 73 përqindësh, për t’u ulur më pas në 72.36% më 2016 dhe në fund të vitit të kaluar kemi kapur sërish nivelin e 2015-ës.
Shifrat janë gjithsesi shumë të larta. Sipas ndërkombëtarëve, një vend me ekonomi jo shumë të konsoliduar si Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes riskun e kalimit të 40 përqindëve në raport me PBB-në. Megjithatë, pas huazimeve masive gjatë mandatit të qeverive Berisha, u hoq edhe nga ligji organik i buxhetit të shtetit një detyrim, që përcaktonte një nivel maksimal prej 60 përqindësh të borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm. Praktikisht, tani nuk ka më një limit për marrjen e borxhit nga organet shtetërore.
Kjo klauzolë, e kundërshtuar fuqishëm nga PS në opozitë, u la pa u prekur kur ajo erdhi në pushtet. Në vitet e para, kanë qenë huatë e marra nga ndërkombëtarët ato që rënduan situatën financiare të vendit, por kjo u quajt një e keqe e domosdoshme, pasi pagesat ndaj të tretëve ishin bllokuar, duke sjellë gati kolaps për ekonominë. Në nivelin aktual, po të llogaritim popullsinë e Shqipërisë me 2.880.324 banorë rezidentë, sipas shifrave të fundit, të 12 janarit 2018, të ofruara nga Instat, del se çdo shqiptari, të madh e të vogël, i rëndon një borxh prej 2.841 eurosh.
Detyrimi
Në nivelin aktual, me 2.880.324 banorë rezidentë, sipas shifrave të fundit, të 12 janarit 2018, të ofruara nga Instat, del se çdo shqiptari, të madh e të vogël, i rëndon një borxh prej 2.841 eurosh
Huamarrja
Gjatë mandatit të Berishës u hoq një detyrim, që përcaktonte maksimum të borxhit publik. Tani s’ka limit për marrjen e borxhit nga shteti. Kjo u kundërshtua nga PS në opozitë, por u la kur erdhi në pushtet
Infrastruktura
Gener 2 ofrohet për projektin e rrugës Thumanë-Kashar
Rruga Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar është projekti i dytë që pritet të miratohet në kuadër të “sipërmarrjes” së qeverisë të njohur si “One Billion”. Burime pranë Ministrisë për Infrastrukturën dhe Energjinë bënë me dije se tashmë është administruar projekti i parqitur si ofertë e pakërkuar nga kompania Gener 2, e cila në mbledhjen e radhës së qeverisë pritet që të marrë një bonus me 8.5 pikë. Pas kësaj qeveria pritet që të hapë një garë normale, ku do të marrin pjesë edhe operatorë të tjerë, por Gener 2 do të jetë e avantazhuar nga bonusi. Projekti i propozuar për rrugën është ndërtim dhe mirëmbajtje. E gjithë kontrata parashikohet 10-vjeçare, ku dy vitet e para janë ndërtim dhe 8 vite janë mirëmbajtje. Kostoja e ndërtimit parashikohet të jetë në vlerën 244 milionë euro. Ky investim parashikohet të kryhet në një kohëzgjatje 24-mujore. Kostot totale te projektit do te përfshijnë shpenzimet kapitale dhe mirëmbajtjen rutinë. Mirëmbajtja do të filloje nga viti i tretë dhe do të zgjasë për 8 vite. Projekti i autostradës Thumanë – Kashar përfshin ndërtimin e 12 urave.
Tregu valutor
Euro në nivelin më të ulët që nga viti 2009
Monedha e përbashkët evropiane ka shënuar një tjetër rënie gjatë ditës së djeshme, duke rënë në nivelin më të ulët të dekadës. Sipas kursit zyrtar të këmbimi të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 131.93 lekë, duke zbritur nën nivelin e 27 qershorit të vitit të kaluar, kur u këmbye me 131.98 lekë. Ky është niveli më i ulët që nga gushti i vitit 2009, kur valuta e përbashkët këmbehej me 131 lekë. Më pas, euro u ngjit në kuotat e 138 lekëve vitin e ardhshëm. Në periudhën 2011-2015, euro u stabilizua në kuotën e 140 lekëve, pavarësisht luhatjeve të saj në bursat ndërkombëtare, që amortizoheshin nga dollari. Revanshi i lekut filloi që në gjysmën e dytë të vitit 2016, kur zbriti deri në 134 lekë në dhjetor. Janari 2017 nisi me rritje, por më pas euro u nënçmua vazhdimisht tek ne edhe pse u forcua në bursat ndërkombëtare. | Shqiptarja