Secondary Adv

Skema e re e pensioneve, 10 dollare me shume per cdo pensionist

Qeveria ka parashikuar të rrisë pensionet edhe në vitin 2015, dhe për këtë është lënë në dispozicion një fond prej 12 milionë dollarësh. Sipas Ministrit Veliaj cdo pensionist bashkë me shtesën për kompensimin e dritave merr 10 USD më shumë.


Ministri sqaroi se rritja do të jetë pak më e lartë se inflacioni dhe se së bashku me kompensimin për energjinë shkon në total 10 dollarë. Fondi do të ndahet mes gjithë pensionistëve që janë aktualisht në skemë, ndërkohë që për pensionet e reja që fillojnë nga 1 janari përfitimi do të jetë dukshëm më i lartë.


Rritja e pensionit
“Ne kemi vënë mënjanë një fond ekskluziv për rritjen e pensioneve. Është një fond prej 12 milionë dollarësh, i cili do të mundësojë që të bëhet një indeksim siç u bë këtë vit, ndoshta dhe më të madh se inflacioni. Ky është një fond i veçantë, pra fondi vjetor i rritjes së pensioneve”, sqaroi dje ministri Erion Veliaj në Komisionin e Ekonomisë. Ai u shpreh që fondi për rritjen është i ndarë nga ai për kompensimin e energjisë elektrike, që vjen si pasojë e heqjes së fashës. Fondi që është parashikuar për kompensimin e energjisë për disa kategori kap vlerën 16 milionë dollarë, duke e çuar në total 28 milionë dollarë fondin, që do reflektojnë rritje në përfitim.


Pensioni social
Në janar 2015, do të fillojë për herë të parë të zbatohet pensioni social, i cili parashikohet t’u akordohet qytetarëve shqiptarë, mbi moshën 70 vjeç, të cilët nuk kanë të ardhura të tjera të përfituara nga pasuritë, trashëgimitë, të ardhura nga investimet etj. Në vitet e para, numri i përfituesve që i përket kësaj kategorie parashikohet të jetë rreth 5000 persona me një kosto vjetore prej rreth 500 milionë lekë në vit.


Shifrat e skemës
Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërorepër vitin 2015, parashikohet në masën 106 miliardë lekë ose 7.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një rritje në masën 5.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2014.
Buxheti i skemës së sigurimeve shoqërore për vitin 2015 është: Të ardhurat, gjithsej 100 339 milionë lekë; Nga të cilat, kontributet 58 218 milionë lekë dhe transferimet nga buxheti i shtetit 42 121 milionë lekë. Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe ndryshon sa herë që rriten pagat dhe pensionet. Ndërkaq, skema e sigurimit suplementar parashikon 5 708 milionë lekë të ardhura, nga të cilat: kontributet 770 milionë lekë; transferimet nga buxheti i shtetit 4 938 milionë lekë. Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se 2 020 milionë lekë dhe ndahen sipas skemave në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.

Shtresat në nevojë
Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në të njëjtin nivel sikurse dhe vitet e kaluara, në masën 1 miliard lekë. Ndërsa fondi për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuarparashikohet në nivelin 19.9 miliardë lekë. Ndërkohë që, sipas relacionit argumentues dërguar Kuvendit, qeveria thekson se gjatë vitit 2015 e gjithë skema e ndihmës ekonomike dhe e pagesës së paaftësisë do t’i nënshtrohet një procesi rrënjësor rivlerësimi. Sipas relacionit, do të rishikohen si procedurat e përfitimit të një statusi të tillë, ashtu edhe instrumentet dhe mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të saj, me qëllim eliminimin e abuzivitetit në skemë dhe uljen e barrës financiare në buxhetin e shtetit.
Për shtresat në nevojë është parashikuar edhe fondi prej 1.7 miliardë lekë si kompensim, në mbështetje të politikave të reja në sektorin e energjisë. Ky fond paraqitet me një rritje në masën 500 milionë lekë krahasuar me vitin 2014 dhe do të përdoret për mbulimin e efektit të heqjes së fashës 300kw/muaj për energjinë elektrike.


Më të lexuarat