Secondary Adv

Rruga Thumane-Kashar, qeveria miraton bonusin per Gener 2, oferta per ndertimin 244 milione euro

Qeveria ka miratuar sot vendimin që i jep një bonus prej 8.5 pikësh kompanisë Gener 2 lidhur me projektin e paraqitur si ofertë e pakërkuar për ndërtimin e rrugës Thumanë-Fushë Krujë-Vorë-Kashar.

 

I pari që ka dhënë lajmi ishte kryeministri Edi Rama përmes një statusi në rrjetet sociale ku shkruante se tashmë ishte hapur drita e gjelbër për projektin e dytë të paketës One Billion. “Qeveria i hap rrugën projektit të dytë të Programit 1 Miliard për Rindërtim, aksi Kashar – Thumanë, segment me rëndësi të posaçme për infrastrukturën rrugore të Shqipërisë që duam. Ndërlidhje më e shpejtë dhe më e sigurtë e Veriut me Kryeqytetin” shkuan Rama.

 

Miratimi i bonusit për Gener 2 i hap rrugë tashmë procedurës normale të garës për ndërtimin e rrugës  por që normalisht falë ofertës së pakërkuar ajo do të jetë e avantazhuar nga pikët. Projekti i propozuar për rrugën është ndërtim dhe mirëmbajtje. E gjithë kontrata parashikohet 10 vjet, ku dy vitet e para janë ndërtim dhe 8 vite janë mirëmbajtje.

 

Kostoja e ndërtimit parashikohet të jetë në vlerën 244 milionë euro. Ky shpenzim, parashikohet të kryhet në një kohëzgjatje 24 mujore. Kostot totale të projektit do të përfshijnë shpenzimet kapitale dhe mirëmbajtjen rutinë. Mirëmbajtja do të fillojë nga viti i tretë dhe do të zgjasë për 8 vite. Me qëllim minimizimin e ndikimit social negativ që Autostrada e re mund të sjellë, është parashikuar rehabilitimi i rrugëve të cilat ndërpriten nga Autostrada e re, të cilat ndahen në: Rrugë kryesore, ku përfshihen: Rrugë kryesore, rrugë kryesore dytësore, rrugë dytësore. Projekti i autostradës Thumanë – Kashar përfshin ndërtimin e 12 urave.

 

“Sipas propozimit të kompanisë rezulton se kjo mënyrë përmbush parimin e shpërndarjes efektive të riskut, duke e bërë këtë projekt të tipit koncesion/PPP të realizueshëm. Nga studimi i fizibilitetit rezulton se shoqëria “Gener 2” ka marrë përsipër pjesën më të madhe të risqeve. Veçanërisht në lidhje me fazën e mirëmbajtjes dhe operimit, risku i disponueshmërisë së veprës, i cili ka të bëjë me ofrimin e një aseti sipas cilësisë dhe standardit të kërkuar dhe që përmbush në mënyrë cilësore nevojat e përdoruesve, merret përsipër nga pala private.

 

Kjo palë, nisur nga nevoja për shpërblimin për punën e kryer sipas kërkesave të Autoritetit Kontraktor, jo vetëm që do të ketë incentivën për të ofruar një aset me cilësi dhe standard të lartë, por nga ana tjetër do të shmangë çdo lloj kosto shtesë që mund të vinte për shkak të mospërmbushjes së kritereve të performancës së kërkuar”.


Më të lexuarat