Secondary Adv

204 mije familje ne nevoje do te mbeshteten financiarisht per te paguar energjine

Rreth 204 mijë familje në nevojë do të mbështeten financiarisht nga buxheti i shtetit në vlerën e 1.6 miliardë dollarë për të paguar energjinë elektrike, si pasojë e heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kilovatësh. Ndërkohë që për pjesën tjetër të familjeve që nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike nuk do të ketë falje të kamatave.


Ky konfirmim u bë publik dje në Kuvend nga dy ministrat, ai i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe ai i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. Nga dy komisione të ndryshme parlamentare ku raportuan, të dy ministrat, ata deklaruan se janë 204 mijë familje mes të cilave do të shpërndahen 1.6 miliardë dollarë. Sipas Ministrit Erion Veliaj, pagesa për të kompensuar energjinë elektrike, do të jetë një parapagim që do t’iu jepet familjeve të mësipërme.
Ky parapagim do të bëhet një herë në 6 muaj dhe më pas edhe do të monitorohen për sa i përket pagesës së faturës së energjisë elektrike. Në rastet kur familjet shpenzojnë më pak energji se sasia e parave që kanë marrë nuk do të kthehen mbrapsht, por do të kalojnë si të ardhura bonusesh për këto familje.


Familjet që përfitojnë
Familjet që do të përfitojnë mbështetje financiare për të paguar faturën e energjisë elektrike, pas heqjes së fashës prej 300 kwh, sipas Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të jenë ato familje në të cilat kryefamiljarët janë pensionistë (duke qenë se paguhet një faturë e energjisë elektrike), të gjithë personat me aftësi të kufizuara sipas kategorive, të verbër, paraplegjikë, tetraplegjikë si dhe gjithë personat që kanë të ardhura të pakta në nivel buxhetor nën 35 mijë lekë. “Na rezulton që nevoja për të plotësuar të gjithë këtë kompensim është diku te 16 milionë dollarë, kështu që kemi marrë shtesë në buxhet, në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nga kategoritë e sipërpërmendura, 204 mijë familje, në total rreth 1 milionë banorë, të mos ndiejnë asnjë qindarkë barrë për çështjet e energjisë elektrike”- u shpeh Veliaj.


Ndërsa ministri i Energjisë, Gjiknuri u shpreh: “Është e vërtetë se ka një kategori njerëzish që e kanë vështirë ta përballojnë dhe ky është një fakt. Pikërisht, dhe me mbështetjen buxhetore të parashikuar, 1.6 miliardë lekësh është synuar që të adresohen familjet në nevojë nga çdo lloj ristrukturimi të tarifës së energjisë. Ideja është që ata të marrin para në dorë që të kenë mundësi ta paguajnë energjinë elektrike”.
Sipas Gjiknurit, ky është një fenomen i krijuar për shkak të akumulimit të pagesave dhe kamatave nga vitet e shkuara. Në të njëjtën logjikë është bërë edhe arsyetimi nga ana e Ministrisë së Energjetikës. Varianti për kompensimin e familjeve që kanë kryefamiljar një pensionist apo person me aftësi të kufizuara si dhe ata që kanë të ardhura mujore nën 35mijë lekë në muaj do të kenë një parapagim, një herë në 6 muaj. Ishte menduar që kompensimi të bëhej pasi të ishte bërë pagesa e energjisë elektrike.


Faturat e prapambetura
Nuk do të falet asnjë faturë e prapambetur. Kështu deklaroi ministri Gjiknuri, dje në raportimin për buxhetin e viti 2015-të në komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Sugjerimi është. Lehtësimi në pagesa ose pagesa të pjesshme por jo amnisti. “Së bashku me korporatën po mendojmë që të ketë lehtësime në pagesa, pra pagesa pjesore të shtrira në kohë, apo edhe iniciativa që të paguash një pjesë të caktuar në kohë për të reduktuar pjesën tjetër. Këto mundësi do të paraqiten shumë shpejt në zyrat e klientit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”- tha ministri. Më tej ai shpjegoi: “Lehtësirat do të jenë të shtrira edhe në vite, në mënyrë që këto borxhe të akumuluara nga familjarët të përballohen.


Gropa në energjinë elektrike do të mbyllet në vitin 2018
Sistemi elektroenergjetik shqiptar, në vitin 2018 nuk do të ketë nevojë për ndihmë nga Buxheti i Shtetit por të do ecë me këmbët e veta. Me tarifat e reja që do të nxjerrë Enti Rregullator i Energjisë në fund të muajit dhjetor, nuk do të mbulohen plotësisht kostot për shkak të elementëve social. Shteti do të vazhdojë të mbajë barrën. Vitin tjetër hendeku pritet të ngushtohet me 120 milion dollar. Pra, një Buxhet më pak i ekspozuar ndaj këtij risku pikërisht përmes masave radikale që pritet të ndërmerren, reduktim humbjesh minimalisht 5 për qind, rritje arkëtimesh dhe kryerje investimesh në kohë. OSHEE-së i detyrohen debitorë me gjithë kamata rreth 1.1 miliardë dollar. Ky është borxhi që të tretët, konsumatorët familjarë, bizneset i kanë kompanisë. Në një kohë të shkurtër janë mbledhur mbi 20 milionë dollarë, po u vazhdua ky trend një pjesë e borxheve të vjetra do të shlyhen.
Zgjidhje e ngërçit në sektorin e energjisë, sipas Gjiknurit është edhe liberalizmi i tregut të energjisë elektrike. Deri në fund të vitit 2015 do të përfundojë investimi që e bën të mundur. Në afatin më maksimal, në janar 2016 të gjithë konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt do të dalin në treg të lirë. Kjo do të jetë një normë e detyrueshme dhe brenda 2018-ës mendohet që 40 për qind e tregut të liberalizohet. “Që kur u privatizua OSSH-ja tek CEZ-i, u privatizua duke e nënkuptuar në kushtet e një monopoli natyral.


Duhen investime të mëtejshme në rrjet që të bëhet e mundur që të ofrohet ky shërbim edhe nga kompani të tjera. Do të synojmë që liberalizimi të jetë i plotë dhe të krijohet edhe tregu i një dite më parë duke patur një platformë të tregtimit të energjisë. Kuptohet kjo duhet të shkojë në shkallë edhe me të ardhurat e popullatës. Një liberalizim i tarifave për popullatën do të bënte që tarifat të ishin shumë të larta”- u shpreh ministri.


Gjiknuri: Arsyet përse hiqet fasha e 300 kilovatëve

“Është shumë i nevojshëm eliminimi i fashës. Po të shikoni të dhënat, del se janë mbi 200 mijë klientë të faturuar zero, janë 300 mijë të tjerë që faturohen deri në 100 kilovat. Janë shifra të palogjikshme për sa i përket konsumit të energjisë elektrike. Vihet re një rritje e klientëve që përdorin fashën krahasuar me vitet e kaluara. Ky është një deformim i jashtëzakonshëm pasi normalisht konsumi i energjisë është rritur për njësi. Nuk mundet që klientët që përdorin fashën të jenë në këtë numër kaq të lartë, përkundrazi, numri duhet të ulej për shkak të rritjes së konsumit”- ishte përgjigja e dhënë nga dikasteri i energjisë për pyetjes se pse do të hiqet fasha.


Ndërkohë që për vitin 2015 janë porositur një numër i konsiderueshëm sahatesh matës që kanë munguar, pasi për sigurimin e tyre, korporata nuk ka qenë në gjendje ti blejë. Ndërsa kërkesa për kontrata të reja është rritur, janë mbi 5 mijë të tilla./ Gazeta Shekulli


Më të lexuarat