Secondary Adv

TAP publikon ftesat per tender per stacionet e kompresoreve

 

Trans Adriatic Pipeline AG (TAP) ka publikuar ftesat e tij të radhës për Tender (ITT) për stacionet e kompresorëve në Greqi dhe në Shqipëri. TAP ka nxjerrë dy ITT të veçanta, një për Greqinë dhe një për Shqipërinë.


Në Greqi ITT-ja do të mbulojë ofrimin e inxhinierisë, prokurimit, ndërtimit dhe testimit të një stacioni kompresori në Kipoi.Në Shqipëri, ITT-ja lidhet me ofrimin e inxhinierisë, prokurimit, ndërtimit dhe testimit të një stacioni kompresori në Fier, dhe një stacioni matës në Bilisht. Stacioni matës është projektuar për të matur sasinë e gazit natyror që vjen nga seksioni grek i TAP-it.


Projekti dhe specifikat për stacionet e kompresorëve do të jenë në përputhje me kapacitetin fillestar të TAP-it prej 10 mmk gaz në vit, të transportuara nga fusha e Shah Deniz II për në Evropë, por do të ekzistojë edhe mundësia e rritjes së këtij kapaciteti deri në 20 mmk në vit.
Ndërtimi i Gazsjellësit Trans Adriatik planifikohet të nisë në fillim të vitit 2016. Pika më e lartë e TAP-it do të jetë në rreth 1800 metra mbi nivelin e detit në malet e Shqipërisë dhe përgjatë gjurmës së tij TAP-i do të kryqëzohet me shumë rrugë e lumenj.


TAP-i planifikon t’i akordojë kontratat për stacionet e kompresorëve në gjysmën e dytë të vitit 2015. Ftesa e ardhshme për Tender që do të publikohet do të ketë të bëjë me prokurimin e njësive turbo kompresore për stacionet e kompresorëve në Greqi dhe Shqipëri, si dhe për prokurimin e valvulave me sfera me diametër të madh për Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë. TAP-i planifikon t’i publikojë këto ITT brenda tre mujorit të fundit të vitit 2014.


Knut Steinar Kvindesland, Drejtor i Prokurimeve për TAP tha: “Përzgjedhja e ofertuesve që janë ftuar të tenderojnë për stacionet e kompresorëve ka kaluar me sukses një proces rigoroz para kualifikimi. Aftësia e ofertuesve për të përmbushur standardet e larta të TAP-it në lidhje me Shëndetin, Sigurinë dhe Mjedisin dhe aftësia e tyre për të treguar se kanë një politikë me tolerancë zero ndaj dëmit kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë pika kyçe në përzgjedhjen e ofertuesve.”


Kontraktorët e TAP-it për Inxhinierinë, Prokurimin dhe Ndërtimin (EPC) do të kenë gjithashtu përgjegjësinë për sigurimin e nënkontraktorëve të mëtejshëm për zbatimin e pjesëve të veçanta të detyrave të kontratës. Kjo mund të krijojë mundësi të tjera punësimi dhe biznesi, duke kontribuar kështu në prosperitetin ekonomik të vendeve ku do të kalojë TAP-i. Për informacione të mëtejshme mbi procesin e prokurimit të TAP-it dhe kontratat që ai planifikon të lëshojë, ju lutemi vizitoni: www.tap-ag.com/project-opportunities/for-companies


Nëse jeni nënkontraktor dhe jeni të interesuar të punoni për një nga kompanitë që TAP-i do të përzgjedhë për kontratat e tij, ju lutemi aplikoni ketu:

www.tap-ag.com/project-opportunities/for-companies/interested-in-working-as-subcontractor për të regjistruar detajet tuaja. Ky informacion do t’u përcillet kompanive të ftuara për të tenderuar në procesin e prokurimit të TAP-it.


Më të lexuarat