Secondary Adv

Aeroporti i Kukesit, Albcontrol studim te dedikuar dy muaj pas deklarates se Kryeministrit

Dy muaj pasi kryeministri Rama deklaroi se ka një shprehje interesi edhe për Aeroportin e Kukësit nga një investitor serioz, Albcontrol sh.a ka hapur një procedurë prokurimi që ka në fokus një studim për infrastrukturën navigacionale për këtë aeroport.

 

Referuar dokumenteve nënvizohet se Albcontrol do të kontraktojë një kompani për të zhvilluar dhe përpunuar Konceptin e Operimeve për zbatimin e Rregullave Instrumentale te Fluturimit (IFR) në aerodromin e Kukësit. Kompania do të ketë në qendër të studimit të paktën 14 pika duke nisur nga vlerësimi i përgjithshëm i fizibilitetit lidhur me operimet e vetë projektit e deri tek vlerësimi i ndikimit të paraqitjes së procedurave IFR në sigurimin e cilësisë së të dhënave. Po kështu operatori do të bëjë rekomandim për një ose procedurat më të përshtatshme të afrimit dhe nisjes duke marrë parasysh kufizimet lidhur me pengesat dhe mjetet ekzistuese të bazuara në tokë (VOR/DME). 

 

Një fokus të veçantë do të ketë për llojin e operimeve në aerodrom, përfshirë llojet e avionëve që do të shërbejnë në aerodrom dhe drejtimin e zgjerimit të pistës nëse është e nevojshme. Dokumenti duhet të përfshijë edhe analizën e organizimit / klasifikimit aktual të hapësirës ajrore dhe implikimet e mundshme që ky projekt mund të sjellë në këtë drejtim, si dhe rekomandimin e riorganizimit / riklasifikimit të hapësirës ajrore përkatëse nëse ka.

 

“Përcaktimi i kompetencave të kërkuara të personelit të lidhur – Dispeçeri AFIS në krahasim me kompetencat e ATCO përfshirë çdo propozim të mëtejshëm për të ndryshuar legjislacionin kombëtar. Nëse shihet e përshtatshme, kontraktuesi mund të përfshijë në këtë analizë konsiderata të reja të shërbimeve përveç AFIS dhe ATC, si UNICOM (sistem aeronautik i komunikimit ajër-tokë për të siguruar komunikime ajër-tokë dhe ajër-ajër) që synon të mbështesë aktivitetet e përgjithshme të aviacionit dhe konsideratat e pajisjeve të reja tokësore.  Do të kryhet analiza e çdo trajnimi të kërkuar të personelit tjetër të aviacionit që do të nevojitej për këtë zonë të projektit, veçanërisht në aspektin e sigurisë dhe çështjeve operacionale” thuhet në dokumentet e tenderit. Për këtë procedurë Albcontol ka vendosur në dispozicion një fond prej 10.8 milionë lekësh dhe ofertat duhet të paraqiten brenda datës 24 prill./Monitor


Më të lexuarat