Secondary Adv

Importet e produkteve bujqesore, tre here me te larta se eksportet

Tregtia e produkteve bujqësore është gjenerator i të ardhurave dhe mirëqenies për qindra njerëz  që direkt ose indirekt janë të lidhura me të.  Eksportet e produkteve bujqësore në vend llogariten 24.6 miliardë lekë (183.4 milionë euro), sipas INSTAT. 

 

Importet në 2017-n u llogaritën 73.8 miliardë lekë (apo 550 milionë euro), ndërsa deficiti tregtar është 367.3 milionë euro. Kategoria me përqindjen më të lartë të eksporteve ndaj totalit të eksporteve të produkteve bujqësore janë fruta perimet, me 40% të totalit, apo 9.9 miliardë lekë. Kategoria e dytë me përqindjen më të lartë janë produktet ushqimore, me rreth 39% apo 9.5 miliardë lekë. Kategoria e tretë është e produkteve shtazore. Në 2017-n eksportet e produkteve shtazore llogariteshin 5.1 miliardë lekë, apo 21% e totalit. Ndryshe nga eksportet, në importe peshën më të lartë e kanë produktet ushqimore. Pesha e tyre ndaj totalit të produkteve bujqësore është 38 për qind. Perimet dhe frutat janë të dytat me 33%, ndërsa kategoria e tretë, produktet shtazore, ka një peshë prej 29%. Krahasuar me eksportet, importet e produkteve bujqësore ishin tre here më të larta në 2017-n. 

 

Deficiti më i thellë për mishin

Tregtia e produkteve shtazore ka deficitin më të lartë në të gjitha produktet bujqësore. Deficiti tregtar në 2017-n ishte 18.3 miliardë lekë apo 136.5 milionë euro. Në këtë kategori përfshihen produkte si: kafshë të gjalla; peshku dhe kafshë guaskore; produktet bulmetore, vezët, mjalti. Edhe pse përpunuesit e mishit në vend janë shprehur se janë gati që të zgjerojnë tregun jashtë Shqipërisë, përsëri në vitin 2017 deficiti tregtar i mishit u thellua. Importet e mishit dhe kafshëve të gjalla u rritën me 14% në krahasim me një vit më parë. Një nga arsyet kryesore për thellim të këtij deficiti është siguria ushqimore./Monitor


Më të lexuarat