Grupi serb MK kerkon te zgjerohet ne Shqiperi – Plane per hotele me 4-5 yje ne bregdet
Grupi me bazë në Beograd, MK Group, ka shprehur synimet e tij për të zgjeruar biznesin e tij të hoteleri-turizmit duke ardhur edhe në Shqipëri.
Deklarata u bë nga drejtori i përgjithshëm i MK Mountain Resort, Nikola Avram, gjatë ceremonisë së hapjses së sezonit veror. “Ne kemi plane për investime të tjera në rajon dhe për të gjitha llojet e turizmit, nga mali tek deti. Ne jemi të hapur për çdo projekt të mirë. Në këtë moment ne jemi kompania e vetme që vepron në katër shtete të ish-Jugosllavisë. Ne duam të zgjerohemi në Shqipëri që të plotësojmë këtë pjesë të Ballkanit”, u shpreh Avram, sipas të përditshmes malazeze Vijesti. Dy vjet më parë grupi bleu një hotel në Slloveni, ndërsa në fund të vitit të kaluar bleu edhe Hotelin Kempinski Istria në Kroaci. Ky i fundit është një hotel me 5 yje buzë Adriatiku dhe me një fushë golfi me 18 vrima. Grupi zotëron gjithashtu 15.23% të aksioneve në projektin e Rivierës së Budvës në Malin e Zi, ku aksioner kryesor është qeveria malazeze, por MK shprehet se kërkon të kthehet në aksioner kryesor në mënyrë që të realizojë investime që premtojnë të transformojnë turizmin në këtë zonë. Grupi zotëron në total 11 hotele me mbi 2500 shtretër dhe investimet e tyre në të ardhmen do të fokusohen në hotele me kapacitete mbi 100-200 dhoma. Një nga arsyet pse grupi po mendon zgjerimin në vendin tonë janë edhe nxitësit fiskalë për ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje, si dhe TVSH-ja 6% për strukturat akomoduese./Scan