Secondary Adv

Pensionet, si mund te sigurohen vitet e humbura pa kontribute

Njoftimi i ISSH, zbardhen tarifat, për të përfituar pension të plotë apo të pjesshëm mund të paguhen vullnetarisht.      

 

Qytetarët shqiptarë në vitet e para të tranzicionit në shumë raste kanë punuar për vite me radhë “në të zezë|, pra për ta nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore. Po kështu, kjo ka ndodhur me një numër shumë të madh emigrantësh, të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Të dy këto kategori rrezikojnë të mbeten pa pensione pleqërie. Përballë këtij fakti, Instituti i Sigurimeve Shoqërore krijon mundësinë që, nëpërmjet pagesës vullnetare, të plotësohen muajt dhe vitet që mungojnë, në mënyrë që dikush të përfitojë pensionin kur të arrijnë mkoshyën e parashikuar me ligj.

 

Sigurimet

Sipas një njoftimi më të fundit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, një pension i plotë pleqërie mund të përfitohet për 36 vite e 4 muaj sigurim. Ndërsa një pension i pjesshëm pleqërie përfitohet për 15 vite sigurim. Për ata që kanë vite ose muaj pa paguar kontribute dhe që nuk arrijnë shifrën e kohës së duhur për të përfituar pension pleqërie, parashikohet pagesë për të plotësuar kontributet. Kështu, pagesa e kontributit që çdokush mund të paguajë është 5.184 lekë në muaj. Me këtë shifër llogaritet një muaj kontribute, ndërkohë për një vit duhet të paguhet 62.208 lekë, ose 490 euro. Por ISSH aplikon edhe zbritje, në rast se do të bëhen parapagime nga qytetarët në fillim të periudhave. Kjo ka kuptim për ata emigrantë, të cilët ende nuk kanë mbushur moshën e pensionit, por mendojnë që ta kalojmë moshën e tretë në atdhe. Sipas njoftimit, qytetarët që zgjedhin një opsion të tillë, përfitojnë 6% zbritje nga shuma e kërkuar për një pagesë vjetore; 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore dhe 1.5% mbi shumën për një pagesë 3-mujore.

 

Një person që kërkon të përfitojë pension, mund të të futet në këtë skemë edhe pa qenë i siguruar më parë. Ndërkohë, me një pagesë më të lartë se shuma e kërkuar, pensioni që përfitohet është edhe më i lartë, sakton Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Pensionet mbeten një problem i madh sidomos për emigrantët shqiptarë. Pjesa dërrmuese e tyre janë larguar në periudhën kur duhet të kontribuonin më shumë në skemë. Në shtetet ku ata jetojnë dhe punojnë, edhe në rastet kur sigurimet u janë paguar, ato nuk i’u njihen në Shqipëri, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes vendeve. Kjo do të thotë se, kur një pjesë e tyre kthehen në Shqipëri në moshën e pensionit, nuk përfitojnë pension pleqërie. Ndërkohë, shteti ku kanë punuar mundet t’u refuzojë pagesën e një pensioni nëse ata nuk do të vazhdojnë të jenë rezidentë atje./Shqiptarja.com 


Më të lexuarat