Secondary Adv

Nga 1 janari 2015, sherbimet financiare pa TVSH

Me 1 janar të vitit 2015 hyn në fuqi ligji i ri i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), ku një numër shërbimesh financiare përjashtohen nga TVSH. Shërbimet e sigurimit dhe të risigurimit, përfshirë kryerjen e ndërmjetësimit nga agjentët dhe brokerat përjashtohen nga TVSH. Menaxhimi i fondeve të investimeve, ku hyjnë edhe pensionet private, nuk do të jetë aktivitet i tatueshëm me TVSH.

 


Transaksionet mes bankës dhe klientit
Dhënia dhe negocimi i kredive, si dhe menaxhimi i kredive nga ana e kredidhënësit nuk do të tatohen me TVSH, gjithashtu edhe negocimi ose çdo marrëveshje tjetër në garantimin e kredive ose çdo sigurim tjetër për paratë, si dhe menaxhimi i garancive të kredive nga ana e kredidhënësit. Përjashtohen nga TVSH edhe transaksionet, përfshirë negocimin lidhur me veprimet e këmbimit, llogaritë e depozitave, llogaritë rrjedhëse, furnizimin e likuiditeteve nëpërmjet pagesave, transfertave, marrje-dhëniet e borxhit, çeqet dhe instrumentet e tjera të negociueshme, përveç shërbimit të mbledhjes së borxhit. Kusht është që shërbimi t’i ofrohet klientit, jo ndërmjetësit të tij. Për shembull: Një klient paraqitet pranë një banke për të marrë një kredi.


Dhënia dhe negocimi i kredisë dhe menaxhimi i saj janë operacione të përjashtuara nga TVSH-ja. Klienti paraqet një dosje jo shumë të mirë dhe banka refuzon kredinë ose i jep një kredi jo të favorshme. Një person i tatueshëm, i cili kryen veprimtari si negociues, merr përsipër të kryejë këtë shërbim për klientin pranë bankës. Ky person mund të jetë individ ose agjenci. Shërbimi i kryer nga negociuesi për klientin nuk është shërbim i përjashtuar nga TVSH, por i tatueshëm me TVSH. Shërbimi i negocimit përjashtohet nga TVSH-ja kur kryhet (furnizohet) nga kredidhënësi, banka.


Nuk do të paguhet TVSH për transaksionet, përfshirë negocimin lidhur me valutën, kartëmonedhat apo monedhat e përdorura si mjete ligjore pagese, me përjashtim të monedhave dhe të kartëmonedhave për koleksion, që do të thotë monedha ari, argjendi apo monedha të tjera metali ose kartëmonedha që nuk përdoren normalisht si mjet ligjor pagese ose monedha që paraqesin interes numizmatik. Po kështu nuk do të jenë subjekt i TVSH-së, transaksionet, përfshirë negocimin, por jo menaxhimin apo ruajtjen, në aksione kuota, pjesë në shoqëri apo shoqata, në obligacione dhe tituj të tjerë, përveç dokumenteve që vendosin titull mbi mallrat.


Pullat
Edhe pullat përjashtohen nga TVSH-ja. Furnizimi me vlerën e parashtypur të pullave postare për përdorim për shërbime postare në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe pullave të tjera të ngjashme; furnizimi i basteve, lotarive dhe lojërave të tjera të fatit.


Furnizimet
Sipas ligjit, nuk do të jenë subjekt i TVSH-së: furnizimi i ndërtesave apo i pjesëve të një ndërtese, si dhe furnizimi i tokës, në të cilën qëndron ndërtesa, përveç furnizimit të procesit të ndërtimit; furnizimi i tokës; dhënia me qira e pasurive të paluajtshme; i)furnizimi i kartave të identitetit për shtetasit; furnizimi i shërbimeve të shtypshkronjave për gazetat, furnizimi i gazetave, i revistave dhe i librave të çdo lloji, si dhe furnizimi i shërbimit të reklamave nga media e shkruar dhe nga media elektronike; furnizimi i shërbimeve të destinuara vetëm për realizimin e fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët, të vërtetuar si të tillë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore./Gazeta Shqip


Më të lexuarat