Shqiperia perfiton 40 milione euro nga BE
Bashkimi Europian do t'i japë Shqipërisë 40 milionë euro në mbështetje të reformave të buxhetit. Ky vendim vjen pas miratimit të strategjisë së re për reformimin e sistemit të Menaxhimit Financiar Publik në Shqipëri për periudhën 2014-2020. Strategjia synon shmangien e mangësive në sistemin e menaxhimit financiar publik.
“Gjatë vitit të kaluar është bërë shumë për përcaktimin dhe shlyerjen e fondit të borxheve. Tashmë fokusi është kthyer drejt forcimit të Menaxhimit Financiar Publik përmes planifikimit të një strategjie reformash për të mbuluar periudhën deri në vitin 2020. Strategjia MFP është një mjet i rëndësishëm për drejtimin e reformave dhe monitorimin e progresit. Kjo është një përpjekje e përbashkët e qeverisë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Ministri i Financave Shkëlqim Cani.
Shefja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadorja Romana Vlahutin, përshëndeti miratimin e strategjisë. “Qeverisë shqiptare i duhen dhënë merita të plota për angazhimin e saj të fuqishëm për ndërmarrjen e këtij programi gjithëpërfshirës reformash për trajtimin e gamës së gjerë të të metave të sistemit të menaxhimit financiar publik. Zbatimi i qëndrueshëm i strategjisë do të jetë tani kyç. BE, nga ana e saj, do t’i mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për trajtimin e kësaj reforme shumë të vështirë strukturore”, tha Ambasadorja Vlahutin.
Strategjia MFP e Shqipërisë është përshtatur për krijimin e një kuadri të kujdesshëm makrofiskal, përmirësimin e parashikimeve makroekonomike, kontrolle të angazhimeve shumëvjeçare, përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe mekanizma transparentë të raportimit financiar. Strategjia synon të vendosë një kontroll të brendshëm dhe praktika më të mira të menaxhimit financiar, parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit në menaxhimin e fondeve publike, si dhe forcimin e kontrollit të jashtëm dhe mbikëqyrjes së buxhetit. Zbatimi i strategjisë MFP do të çojë në një administrim më efikas që do të japë shërbime më të mira për publikun.
Miratimi i Strategjisë shtron udhën për programin e BE-së për Mbështetjen Sektoriale të Buxhetit. Programi i BE-së për Mbështetjen Sektoriale të Buxhetit prej 40 milionë € do t’i sigurojë fonde buxhetit kombëtar mbi bazën e reformave të arritura. Ai do të shoqërohet gjithashtu me rritjen e transparencës kundrejt publikut, mbështetje ndaj Parlamentit në rolin e tij mbikëqyrës dhe fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile.
Komiteti Drejtues i Reformës MFP, i udhëhequr nga Ministri i Financave do të drejtojë zbatimin e strategjisë. BE dhe palë të tjera të interesuara, si dhe organizatat e shoqërisë civile, do të kenë një rol aktiv në monitorimin e zhvillimeve. Miratimi i programit për Mbështetjen Sektoriale të Buxhetit nga Komisioni Evropian parashikohet të kryhet para fundit të vitit.