Secondary Adv

Bien te ardhurat - Bankat nen presionin e interesave te uleta

Totali i aktiveve të sistemit bankar në fund të vitit 2017 ishte 1.44 trilionë lekë, me një rritje prej 2.7% në raport me vitin e mëparshëm.

 

Bankat vijuan të rriten ngadalë dhe të kujdesshme gjatë vitit 2017, ndërsa kanë filluar të marrin frymë më lirshëm, si rrjedhojë e uljes së kredive me probleme dhe përmirësimit të treguesve të përfitueshmërisë, teksa disa banka të mëdha kanë rezultuar me fitime, pas humbjeve të larta. Kredia vijoi të jetë e dobët, ndërsa depozitat shënuan rënie për herë të parë në historinë e tranzicionit, duke reflektuar politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që është shoqëruar me ulje të ndjeshme të normave të kthimit për kursimin, çka ka dekurajuar depozituesit. Ulja e normave të interesit ka ndikuar dhe në reduktimin e të ardhurave të sistemit bankar. Të ardhurat e 11 bankave që renditen ndër 12 më të mëdhenjtë, ranë me 2.2% në 2017-n, në raport me një vit më parë. Por, pozitiv është fakti që fitimet u zgjeruan ndjeshëm me 140%. Dy vitet e fundit, sistemi bankar ka qenë në një proces aktiv të shitjeve e blerjeve. Banka më e madhe në vend nga qarkullimi vjetor është BKT, me rreth 19.1 miliardë lekë të ardhura, me rritje 10% me bazë vjetore.

  

Banka e dytë është Raiffeisen, me të ardhura 10.6 miliardë lekë (-12%) në 2017-n, ndërsa përmirësoi ndjeshëm përfitueshmërinë, pasi rezultoi me fitime të larta prej 4.4 miliardë lekësh, nga humbjet e një viti më parë. “Viti 2018 do të jetë i njëjtë, ku do të zhvillojmë më tej kreditimin dhe optimizojmë kostot. Përveç kësaj, transformimi ynë dixhital do të vazhdojë përmes ofrimit të më shumë produkteve dhe shërbimeve online, duke i bërë veprimet bankare më të përshtatshme për klientët tanë”, ka pohuar Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri. Banka e tretë më e madhe në vend nga të ardhurat është Credins, me një rënie të të ardhurave prej 3%, në 10 miliardë lekë, sipas të dhënave të bilancit. Banka po i afrohet me shpejtësi vendit të dytë. Fitimet u trefishuan në 1.35 miliardë lekë. “Krijimi i një portofoli të ekuilibruar midis korporatave dhe bizneseve të vogla, mikro dhe agro, përmirësimi i strukturës së të ardhurave duke ekuilibruar të ardhurat nga interesi dhe ato nga komisionet, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në fokus të zhvillimit të biznesit”, ka pohuar z. Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank.

 

Intesa Sanpaolo është banka e katërt më e madhe në vend nga të ardhurat, që arritën në gati 5.7 miliardë lekë, me rënie 12%, sipas tatimeve. Z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtar Bordi i Bankës, ka pohuar më herët se “Intesa Sanpaolo ka pasur një aktivitet shumë të mirë. Ne i kemi arritur gjithmonë objektivat tanë për sa i përket rritjes dinamike, zgjerimit të kredisë, reduktimit të portofolit të NPL-ve, që është tashmë shumë më poshtë sesa mesatarja e sistemit”. Banka është drejt procesit të përthithjes së Veneto Bank, që pritet të përfundojë brenda shtatorit. Societe Generale është banka e pestë më e madhe në sistem sipas të ardhurave, në një nivel prej 3.9 miliardë lekësh, me një rënie të lehtë prej 1%. Në korrik 2018, Société Générale njoftoi se ka hyrë në marrëveshje për të shitur paketën e saj kontrolluese të aksioneve në Société Générale Albania (SGAL) tek OTP Bank. Mbyllja e këtij transaksioni pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm, subjekt i miratimeve nga autoritetet bankare dhe të konkurrencës dhe miratimit të palëve të tjera të lidhura.

 

E gjashta është Banka Alpha, me 2.8 miliardë lekë të ardhura në 2017-n, me tkurrje 11% me bazë vjetore. Drejtori i Alpha Bank, Georgios Papanastasiou, ka pohuar se “sinjalet pozitive, si rritja e kërkesës për kredi në 2017 nga ndërmarrje të mëdha dhe ato të vogla e të mesme, mund të çojnë në zgjerim të mëtejshëm të kreditimit në vitin 2018 për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me qëllime investimi ose kapitali qarkullues. Gjithashtu, një tendencë e ngjashme është parashikuar për kreditë konsumatore dhe ato hipotekore”. E shtata është Tirana Bank, me 2.5 miliardë lekë të ardhura duke u reduktuar me 8%. Në gusht 2018, Banka e Pireut në Greqi njoftoi zyrtarisht se ka hyrë në një marrëveshje me Grupin Balfin dhe Komercijalna Banka, për shitjen e aksioneve të degës së saj në Shqipëri, Tirana Bank. Shuma totale në konsideratë arrin në 57.3 milionë euro, për 98.83% të aksioneve të Bankës Piraeus në Tirana Bank.

 

Union Bank ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 2.3 miliardë lekësh, me rritje rreth 5%. “Edhe për vitin 2018, presim që ai të jetë më i mirë, ky është viti i katërt radhazi, në të cilin ne arrijmë rezultate edhe më të mira. Pres që edhe 2018-a të mbyllet me një rritje dyshifrore si të aktivitetit tonë, të kredive dhe depozitave, dhe njëkohësisht të arrijmë edhe kthimin dyshifror të kapitalit”, ka pohuar Gazmend Kadriu, drejtor i Union Bank. Banka Amerikane e Investimeve raportoi 1.8 miliardë lekë të ardhura, sipas deklarimeve në bilanc, e vetmja me rritje të lartë prej 21%. Në fillim të 2018-s, Banka Amerikane bleu Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG). Kjo e fundit raportoi 1.78 miliardë lekë të ardhura, me një tkurrje prej 7%. ProCredit Bank deklaroi të ardhura prej 1.7 miliardë lekësh, me rënie 18% me bazë vjetore. Znj. Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Bankës ProCredit Shqipëri, ka pohuar se banka është e fokusuar që të sjellë platforma elektronike të përmirësuara, që përfshijnë përmirësim të shërbimeve aktuale, apo shtim të veçorive të ndryshme, ashtu edhe prezantim shërbimesh të reja. “Në këtë kontekst planifikojmë që gjatë 2018-s të ofrojmë për klientët tanë platforma elektronike të përmirësuara për e-banking dhe mobile banking, duke siguruar për klientët tanë më tepër shërbime që kryhen online”. 

 

SIGURIMET, NË RRITJE TË LEHTË

Pesë operatorët më të mëdhenj të tregut të sigurimeve kanë deklaruar rritje të të ardhurave prej 3.3% në vitin 2017, nga 7.4% vitin e mëparshëm dhe larg zgjerimit dyshifror në 2015-n. Pozitive ishte performanca e fitimeve, që u rritën me 22% për 5 kompanitë së bashku (shih tabelën).

Shoqëria më e madhe e sigurimeve është Sigal Uniqa Group Austria, me 4 miliardë lekë të ardhura dhe rënie të lehtë vjetore prej 1%.

I dyti më i madh në 2017-n ishte Sigma Interalbanian Vienna Insurance, me rritje 6% në 2.7 miliardë lekë.

Eurosig SHA kishte të ardhura prej 2.3 miliardë lekë.

Intersig Vienna Insurance Group është operatori i katërt më i madh, me një qarkullim vjetor prej 2 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 3%.

Alb-Siguracion ka shënuar për të dytin vit radhazi rritje të shpejtë të të ardhurave, me 12%, në gati 2 miliardë lekë.

Të renditur sipas grupeve, Sigal Uniqa Group Austria vijon të jetë më i madh, teksa së bashku me Sigal Life dhe Sigal pensions, qarkullimi vjetor në vitin 2017 ishte 6.4 miliardë lekë, me një zgjerim prej gati 10%, si rrjedhojë e ecurisë së mirë të segmenteve të jetës dhe pensioneve.

Vienna Insurance Group, e cila zotëron dy shoqëri sigurimesh, Sigma Interalbanian dhe Intersig,  kishte me të ardhura në total prej 4.5 miliardë lekësh, me zgjerim vjetor 5%.

Eurosig bleu në mes të vitit 2016 shoqërinë shtetërore të sigurimeve INSIG. Në 2017, qarkullimi vjetor i kombinuar i Eurosig dhe Insig ishte 3.4 miliardë lekë, duke e renditur të tretin, nëse merren në konsideratë grupet. (shiko tabelën: Renditja e kompanive të sigurimeve, sipas grupeve)./Monitor  

   

 


Më të lexuarat