Secondary Adv

Te ardhurat nga emigrantet: Ne 25 vite ne Shqiperi kane hyre 26 miliarde dollare

Që nga viti 1992, me flukset e para të prurjeve të emigrantëve, deri në fund të 2017, janë futur në ekonominë shqiptare 26 miliardë dollarë në formën remitancave. 

 

Gjysma e tyre kanë financuar konsumin e ushqimeve dhe pjesa e tjetër është përdorur për t’u arsimuar. Vala e re migratore ka rikthyer rritjen e dërgesave, teksa bankat kanë reduktuar shërbimet për emigrantët në këto dhjetë vite. Si kanë ndikuar në ekonomi remitancat dhe projektet për përmirësimin e përdorimit të tyre. Emigracioni ndoshta është plaga më e pashërueshme e shoqërisë shqiptare, por përpos kostove që krijohen nga rrudhja e kapitalit njerëzor, emigrantët janë shndërruar në kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë tonë, nëpërmjet dërgesave të rregullta pranë familjeve. Studime të ndryshme tregojnë se remitancat (prurjet monetare të emigrantëve) kanë qenë nxitësi kryesor për zbutjen e varfërisë, gjithashtu me përvojën e tyre kanë ndihmuar në zhvillimin e aftësive të familjarëve nëpërmjet investimeve në shkollimin dhe në kurimin e tyre. Përgjatë 28 viteve të fundit, që nga rënia e diktaturës, Shqipëria po përjeton cikle të rregullta të emigracionit dhe të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe remitancat.

 

Që nga viti 1992, kur nisën prurjet e para, deri më 2017, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, emigrantët shqiptarë kanë sjellë në ekonominë shqiptare 26 miliardë dollarë. Kontributi i tyre vjetor përllogaritet në rreth 8-9% të PBB-së në 10 vitet e fundit. Remitancat në vlerë kanë qenë financuesi kryesor i bilancit të pagesave, duke sjellë valutë në ekonomi më shumë se investimet e huaja. Gjatë viteve 1991-2007, remitancat ishin më të larta se eksportet, Investimet e Huaja Direkte dhe ndihmat zyrtare. Në gjashtë muajt e parë të 2018-s, emigrantët sollën në shtëpi 331 milionë euro, me një rritje prej 11% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë në 6 vjet, që prej vitit 2012. Banka Botërore, në një anketë të fundit, gjeti se rreth 85% e familjeve shqiptare kishin përfituar financime që shkonin deri në 2350 dollarë në vit gjatë një periudhe 10-vjeçare. Gati gjysma e financimeve janë përdorur për financimin e jetesës së përditshme, veçanërisht për blerjen e ushqimeve, ndërsa pjesa tjetër shpërndahet në mënyrë proporcionale për arsim, kurim, rikonstruksione shtëpie etj.

 

Banka e Shqipërisë, në një vrojtim për tregun e remitancave të publikuar së fundmi, evidenton se bankat në Shqipëri pas vitit 2007 kanë reduktuar dukshëm shërbimet e emigrantëve, teksa Banka Botërore e ka përfshirë Beratin në një projekt pilot, për një përdorim me efikas të dërgesave. Profesor Ilir Gëdëshi, i cili ka bërë një sërë studimesh dhe vrojtimesh lidhur me emigracionin, thotë se, remitancat kanë luajtur rol të rëndësishëm në reduktimin e varfërisë të shumë familjeve në vend. Ndërkohë, nga këndvështrimi i ndikimit të remitancave në zhvillimin ekonomik, Gëdëshi thotë se vetëm një pjesë e vogël e atij burimi (9-12%) është investuar në ekonomi, në biznese kryesisht të vogla. Rrjedhimisht, sipas tij, kjo vlerë monetare e injektuar në ekonominë shqiptare nga migrimi deri tani ka qenë e pamjaftueshme për të rritur prodhimin vendas.  

 

Remitancat dhe ndikimi i tyre në zhvillim

Dërgesat e emigrantëve kanë qenë një burim i rëndësishëm si për të ardhurat dhe për financimin e konsumit dhe janë element thelbësor në kursimet familjare. Banka e Shqipërisë vlerësoi së fundmi në një studim të posaçëm për remitancat se ato kanë pasur kanë efekte absolute mbi mirëqenien dhe ndikimin në ekuilibrat makroekonomikë. Literatura teorike, por edhe studimet empirike, kanë treguar se rëndësia e remitancave ndikohet nga mënyra se si ato përdoren. Prandaj, efektet e mundshme makroekonomike të remitancave pasqyrojnë strukturën e konsumit të familjeve shqiptare. Banka e Shqipërisë ka gjetur se dërgesat e emigrantëve kanë mbuluar financimin e konsumit të familjeve për nevojat bazë, si ushqim, kujdes shëndetësor, arsim, etj. Mirëpo përfitueshmëria më e madhe e remitancave do të ishte sikur ato të investoheshin në prodhim. Një studimin për rastin e Meksikës ka treguar se 1 dollar i remitancës së shpenzuar në prodhim gjeneroi 2.69 dollarë në të ardhurat kombëtare të zonave urbane dhe 3.17 dollarë në zonat rurale.  

Kështu, gjatë periudhës 2011-2017, deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me 2.3% dhe kontributi e flukseve hyrëse të remitancave në këtë drejtim vlerësohet në rreth 1.2 pikë përqindjeje. Gjithashtu, gjatë periudhës 2005-2010, ndonëse zgjerimi i deficitit korent ishte rreth 26.1%, remitancat kontribuuan (mesatarisht në 2.4 pikë përqindjeje të ngushtimit të deficitit aktual). Ndërsa kontributi i remitancave mund të jetë më i ulëti, ato mbeten një rrjedhë e rëndësishme (megjithëse jo përcaktuese) në formësimin e dinamikës së deficitit aktual, dhe, herë pas here, ato mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në këto dinamika./Shqiptarja.com


Më të lexuarat