Secondary Adv

Rritet serish cmimi i apartamenteve ne Tirane, 20 deri ne 30 perqind me shtrenjte

Çmimet e apartamenteve në Tiranë po shtrenjtohen sërish me 15 deri në 30%, sipas një vëzhgimi të Monitor në tregun e pasurive të paluajtshme në kryeqytet.

 

Në Komunën e Parisit, kompania e ndërtimit Kika sapo ka nisur punimet në kompleksin e tretë rezidencial, pasi ka përfunduar shitjet në dy komplekse banimi në po atë zonë. Sokol Kika, administrator i firmës së ndërtimit, tha për Monitor se në kompleksin e ri mendon që të aplikojë çmime më të shtrenjta, ku çmimi për m2 do të jetë rreth 1200 euro. Në dy komplekset e para çmimi për njësi për apartamentet e banimit ishte 900-950 euro për metër në katror. Sipas Kikës në shtrenjtimin e çmimit për njësi ka ndikuar kostot e larta në ndërtim, të cilat janë rritur për shkak të taksave, kryesisht taksës së infrastrukturës (që është rritur në 8% të çmimit të shitjes, nga 4% e kostos që ishte më parë). Një tjetër taksë e pritshme nga 1 janari është kontributi prej 3% e sipërfaqes për krijimin e fondit për strehimin social.

 

Edhe në zonat e tjera kompanitë e ndërtimit raportojnë çmime më të larta. Gener2 ka filluar ndërtimin e Lakeview Rezidences, një kompleks banimi që do të shtrihet në kryqëzimin e Rrugës së Kosovarëve dhe rrugës Sami Frashëri dhe që do të përmbaje 5 godina, me 600 njësi banimi me një sipërfaqe totale prej 129 mijë metra2. Çmimi për metër katror në këtë kompleks shkojnë deri në 2200 euro për metër katror. Në Rrugën e Kosovarëve, çmimi mesatar në godinat e reja që janë në ndërtim është 1700-1800 euro për metër në katror. Në kompleksin që po ndërton kompania Kaso Group, te Rruga e Kosovarëve, çmimi për metër katror në godinën që ka përfunduar si karabina është 1800 euro/m2, por i diskutueshëm në varësi të pagesës.  Shumë pranë godinave të Kaso Group, është në përfundim godina që po ndërton firma e ndërtimit Eldino shpk. Çmimi për metër në katror në këtë kompleks është rreth 1700 euro/m2. I njëjti çmim është edhe për apartamentet në ndërtim e sipër të Alba Konstruksion pranë Parku Olimpik.

 

Tendenca në rritje e çmimeve është vënë re edhe në zonat më periferike. Kompania e ndërtimit Kontakt po ndërton aktualisht pranë zonës së Ali Demit në Tiranë, ku kanë planifikuar 33 godina banimi. Përfaqësues të shitjes në kompaninë Kontakt deklaruan për Monitor se tendenca e çmimeve të shitjes së apartamenteve në Tiranë është në rritje. Aktualisht Kontakt po aplikon një çmim shitje prej 700 euro/m2 duke qenë se janë ende në fazën e hedhjes së themelit, por shumë shpejt do të dalin me një çmim prej 800-900 euro për metër në katror. Arsyet kryesore që përfaqësuesit e kompanisë së ndërtimit Kontakt japin për rritjen e çmimit janë taksat e larta, të cilat janë kanë ndikuar shumë në rritjen e çmimeve, teknologjia e re që po përdorin në ndërtim, e cila edhe kjo është pjesë e kostos, si dhe kërkesa në rritje për blerje të apartamenteve.

 

Zyra e shitjeve e Kontakt tha për Monitor se në zonën ku ato po ndërtojnë po blejnë kryesisht individë të shtresës së mesme. Blerësit kryesorë janë punonjës të administratës dhe të punësuar në sektorin privat, si bankat. “Bëhet fjalë për çiftet e reja që deri diku kanë konsoliduar të ardhurat e tyre dhe kanë një punë të sigurt”,- thotë përfaqësuesja e kompanisë Kontakt e pyetur për profilin e blerësve. Individët me të ardhura të larta janë të përqendruar kryesisht në rrugën e Kavajës, ku aktualisht po ndërton kompania Arlis Ndërtim me 1200 euro/m2 dhe Deliorgji me rreth 1450 euro/m2, apo dhe në zonën e Bllokut, në Njësinë 5. Në këtë të fundit ndërtimet janë përqendruar në Rrugën e Kosovarëve dhe pranë stadiumit Selman Stermasi./Monitor 


Më të lexuarat