Secondary Adv

Si po rrezikohet e ardhmja e vendit: Emigracioni i larte dhe renia e lindjeve ndikuesit kryesore

Sociologët dhe demografët pohojnë se tranzicioni demografik duhet të trajtohet me përparësi, pasi në këtë fazë diktojnë zhvillimet politike dhe ekonomike në vend. 

 

Potencialet e larta që ka Shqipëria për emigrim, ku sistematikisht në tre vitet e fundit, 50% e popullsisë ka pohuar se ka në plan të largohet të paktën sipas tre anketimeve të ndryshme (Gallup, Gëdeshi-King dhe UNESCO) e ka futur shoqërinë në një qark pesimizmi që po jep ndikime negative zinxhir në ekonomi. Largimet, kryesisht në formën e azilit politik në Europë, rreth 170 mijë persona në 2015-2017, kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e konsumit në vend. Teksa pjesa tjetër që planifikon të ikë dhe që po përgatitet për këtë qëllim, duke mësuar gjuhën gjermane dhe duke marrë trajnimet e nevojshme për punësim jashtë vendit (mjekët, infermierët dhe të rinjtë) po mbajnë të ndrydhur konsumin e mallrave të qëndrueshëm.

 

Duke planifikuar të emigrojnë, ata nuk blejnë shtëpi, nuk investojnë në prona, duke u limituar vetëm në financimin e përditshmërisë së tyre. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, tha se potencialet e larta të emigrimit krijojnë një situatë pesimizmi që dëmton konsumin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Dhe tashmë kjo po ndodh, teksa ekonomia është rritur me ritme më të larta se 4%, gati në nivelin më të lartë të dekadës, treguesi i besimit në ekonomi po bie. Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) ra me 4.0 pikë në tremujorin e tretë të vitit 2018. Banka e Shqipërisë sqaroi se ecuria e treguesit reflektoi si rënien e besimit të biznesit, ashtu edhe të konsumatorëve. Vrojtimet e Bankës tregojnë se balanca e blerjeve të mëdha ra me 5.4 pikë përqindje në tremujorin e tretë. 

 

Për herë të parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në misionin e fundit, renditi emigracionin si një problem shqetësues, duke tërhequr vëmendjen e qeverisë shqiptare që të krijojë kushtet për një rritje gjithëpërfshirëse, me qëllim frenimin e fenomenit. Rritja e popullsisë aktive, midis 15-64 vjeç, ka implikime kontradiktore: furnizon tregun e punës me forcë pune të re, të arsimuar, dinamike e produktive, pra është një “dhuratë” për tregun e punës; por kur tregu i punës nuk ofron vende pune të reja të mjaftueshme, “dhurata” demografike shndërrohet në rrezik demografik. Pakësimi i popullsisë nën 15 vjeç do të ketë pasoja afatgjata në pakësimin e “furnizimit” të tregut me fuqi punëtore të re, shtoi ai. Ndërsa demografi Luan Shahollari vëren me shqetësim fenomenin e emigracionit kryesisht në moshat e reja, i cili jep më tej efekte negative edhe në rënien e numrit të lindjeve.

 

Popullsia, në presion të dyfishtë

Zhvillimet demografike po bëhen të vrullshme kohët e fundit si rezultat i një presioni të dyfishtë, emigrimit dhe rënies së lindjeve me ritme dyshifrore. Përgjithësisht, numri vjetor i lindjeve në Shqipëri luhatet në 32-24 mijë bebe në vit. Vitin e kaluar lindën pak më shumë se 30 mijë bebe, teksa gjatë 9 muajve të 2018 lindën vetëm 18,120 bebe. Sipas skenarit pesimist të projeksioneve të popullsisë të INSTAT, numri i bebeve të lindura në vitin 2018 duhet të jetë pak më shumë se 27 mijë foshnja. Që të përmbushet projeksioni i skenarit pesimist duhet të lindin të paktën edhe 9 mijë foshnja në të gjithë vendin në tremujorin e mbetur.

 

Vlora ishte qarku me rënien më të lartë të lindjeve, me rreth 36%, e ndjekur nga Gjirokastra me mbi 35%. Rënia e lindshmërisë në Vlorë po ndikohet edhe nga emigracioni i lartë. Rënia e lindjeve ka prekur edhe Qarkun e Tiranës, e cila përgjithësisht po sheh rritje të popullsisë në raport me qarqet e tjera. Një anketim i fundit i Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike, për potencialet e emigrimit, gjeti se, dëshira për të ikur është e madhe për qytetarët e Vlorës, ku 66.7% e tyre i kanë thënë po emigracionit, të ndjekur nga elbasanllinjtë, ku mbi 57% e tyre duan të emigrojnë. 

 

Në një kërkim mbi emigrimin potencial, anketa zbuloi se, 52% e popullsisë shqiptare të grupmoshës 18 – 40 vjeç, dëshirojnë të migrojnë nga Shqipëria, në krahasim me anketën e vitit 2007, ku 44.2% e kësaj grupmoshe donte të emigronte. Dëshira për të migruar në këto përmasa lidhet me përfytyrimin që kanë njerëzit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Nga njëra anë, ai është një reflektim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në vendin e origjinës, nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës. Vrojtimi tregoi se, rreth 50% e familjeve me të ardhura nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen./Faxweb.al


Më të lexuarat