Rritet kosto e Kardhiq- Delvine: ARRSH shpall fituesit per dy projekte te reja
Rreth 20 milion lekë do i shtohen kostos për ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë fituese, që do të merren me hartimin e projektit për lotin 2, që përfshin pjesën nga fshati Shijan deri në hyrje të qytetit të Delvinës si dhe rishikimin e projektit për lotin 7, ku parashikohet të ndërtohet tuneli. Fondi limit i vënë në dispozicion ishte 20.2 milion lekë, ndërkohë që oferta e konsorciumit fitues, është 19.83 milion lekë. Sipas dokumenteve të tenderit, për ta bërë këtë aks rrugor sa më të asksesueshëm dhe efecient është i domosdoshëm projektimi i dy segmenteve të reja rrugore, përkatësisht ai Shijan-Ura e Gajdarit me gjatësi rreth 5.7 kilometra dhe Shijan – hyrje qyteti Delvinë, me gjatësi 6.8 kilometra, që përfshijnë pikërisht lotin 2.
Ndërkohë që, sa i takon tunelit, ARRSH argumenton se ai ka një gjatësi prej 1 kilometra dhe projekti është hartuar në vitin 2008. Por përgjatë gjithë kësaj periudhe 10- vjeçare, mund të kenë ndodhur ndryshime si në kushtet e zbatimit te punimeve ashtu dhe për hapjen e tunelit dhe për ketë arsye ka lindur si nevojë rishikimi i projektit. Aksi rrugor Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi 33 kilometra dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 2009, por deri më tani janë përfunduar rreth 16 kilometra rruge dhe 14.5 kilometra të tjerë janë në fazën e zbatimit të punimeve. Me financim prej 6.56 miliard lekë të buxhetit të shtetit, ndërtimi i pjesës së mbetur ka nisur në datën 30 shtator, ndërkohë që punimet pritet të përfundojnë para vitit 2021./SCAN