Secondary Adv

Ndryshon skema e financimit per studentet


Qeveria ka vendosur transformimin e universiteteve aktuale shtetërore e private në institucione të pavarura publike të arsimit të lartë. Në projektligjin e ri krijohet Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, që do të jetë një institucion publik dhe që ka detyrën kryesore për të shpërndarë fondet publike në sistemin e arsimit të lartë.

 


Gazeta “Panorama” ka siguruar projektligjin e ri të arsimit të lartë që ka hartuar Ministria e Arsimit dhe që pritet të miratohet javën e ardhshme në mbledhjen e Qeverisë. Drafti i ri përmbys mënyrën e drejtimit të universiteteve shtetërore duke caktuar si autoritetin më të lartë të drejtimit Bordin e Administrimit dhe jo më rektorët.


Bordi i Administrimit në universitetet publike do të ketë të drejtë të menaxhojë financat dhe burimet njerëzore. Bordi emëron administratorin e universitetit dhe ky i fundit emëron ndihmësit e tij në fakultete e departamente. Këto kompetenca në ligjin aktual zbatohet vetëm nga rektorët e universiteteve.


Projektligjii  ri per universitetet
Në projektligjin e ri të qeverisë rektorëve dhe dekanëve i lihet në dorë e drejta e menaxhimit dhe drejtimit në nivel akademik.“Organet drejtuese akademike janë:

1.Senati Akademik, Asambleja e Personelit Akademik dhe komisionet e përhershme.
2. Autoritetet drejtuese akademike janë rektori, drejtuesi i njësisë kryesore,drejtuesi i njësisë bazë.
3. Organi më i lartë administrativ dhe përgjegjës për përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë është Bordi i Administrimit.
4. Autoritetet drejtuese administrative janë administratori i institucionit, administratori i njësisë kryesore dhe administratori i njësisë bazë”, thuhet në projektligj.


Në universitetet publike Bordi i Administratorëve përbëhet nga shtatë anëtarë. Katër zgjidhen nga institucioni, ndërsa tre propozohen nga Ministria e Arsimit. Ky raport ruhet  nëse institucioni siguron vetë 50% të financimeve. Në rastet kur ka më pak se 50% të financimit, atëherë katër anëtarë të Bordit të Administratorëve zgjidhen nga Ministria e Arsimit që merr shumicën drejtuese.


Privatët
Edhe për institucionet e arsimit privat është parashikuar e drejta për t’u transformuar në institucion të pavarura publike të arsimit të lartë. Drejtimi i institucionit të pavarur të arsimit publik  bëhet po nga bordi i administrimit, i cili përbëhet nga shtatë anëtarë. Katër anëtarë  zgjidhen nga universiteti dhe 3 nga Ministria e Arsimit, në rastet kur raporti i financimit kalon nga shteti, atëherë shumicën e bordit të administrimit e merr Ministria e Arsimit. “Institucionet e pavarura publike të arsimit të lartë krijohen nga institucione shtetërore, publike ose jopublik.
Institucionet publike të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe ato jopublike jofitimprurëse, mund të transformohen, me kërkesë për riorganizim, në institucione të pavarura publike të arsimit të lartë. Themeluesi i transferon institucionit autonom të drejtën e pronësisë mbi pasuritë në përdorim të këtij të fundit, duke ruajtur të drejtat e themeluesit sipas përcaktimeve në këtë kre”, thuhet në draft.


Projektligji për arsimin e lartë
Neni 39
Autoritetet drejtuese dhe organet në institucionet e arsimit të lartë
1. Organet drejtuese akademike janë Senati Akademik, Asambleja e Personelit Akademik dhe komisionet e përhershme.
2. Autoritetet drejtuese akademike janë rektori, drejtuesi i njësisë kryesore, drejtuesi i njësisë bazë.
3. Organi më i lartë administrativ dhe përgjegjës për përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë është Bordi i Administrimit.
4. Autoritetet drejtuese administrative janë administratori i institucionit, administratori i njësisë kryesore dhe administratori i njësisë bazë.
5. Organe kolegjiale të tjera janë Rektorati, Dekanati dhe Këshilli i Etikës.
6. Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit bashkërendojnë veprimtarinë e tyre në interes të realizimit të misionit të institucionit.
 7.Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të krijojnë edhe autoritete drejtuese dhe/ose organe të tjera, në përputhje me misionin dhe veprimtaritë e tyre.
8. Në institucionet e arsimit të lartë autoritetet dhe anëtarët e organeve drejtuese zgjidhen nëpërmjet një procesi të përgjithshëm zgjedhor, i cili zhvillohet çdo katër vjet. Në rast ndërprerjeje të parakohshme të mandatit, mandati i autoritetit drejtues ose i anëtarit të ri të zgjedhur të organit drejtues është plotësues.

Përbërja dhe krijimi i bordit të adminsitrimit


1. Bordi i Administrimit në institucionet publike të arsimit të lartë përbëhet nga shtatë anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme. Ata përzgjidhen nga Senati Akademik i IAL-së prej listave të propozuara nga Institucioni i arsimit të lartë, Ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe njësisë së qeverisjes vendore për një mandat pesëvjeçar me të drejtën e një rizgjedhjeje. Lista e propozuar nga IAL përbëhet nga individë të cilët vetëkandidojnë apo propozohen nga njësitë bazë të institucionit.


2. Përbërja e Bordit të Administrimit përcaktohet në varësi të planit buxhetor afatmesëm të institucionit publik të arsimit të lartë, të miratuar nga bordi. Nëse institucioni siguron vetë 50% ose më shumë të nevojave të financimit, katër prej anëtarëve janë përfaqësues të IAL-së dhe tre janë përfaqësues të Ministrisë përgjegjëse për arsimin. Në rastet kur Institucioni siguron vetë më pak se 50% të nevojave të financimit tre prej anëtarëve janë përfaqësues të IAL-së, dhe katër janë përfaqësues të Ministrisë përgjegjëse për arsimin. Në rastet kur njësia e qeverisjes vendore në territorin e së cilës zhvillon veprimtarinë institucioni i arsimit të lartë kontribuon financiarisht së paku në masën prej 10% të burimeve financiare të IAL-së, atëherë një prej përfaqësuesit që i takon Ministrisë përgjegjëse për arsimin, përcaktohet nga njësia e qeverisjes vendore.


Institucioni i pavarur publik i arsimit të lartë
Neni 126
Krijimi dhe transformimi në institucion të pavarur publik të arsimit të lartë


1. Institucionet e pavarura publike të arsimit të lartë krijohen nga institucione shtetërore, publike ose jopublike.. Institucionet publike të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe ato jopublike jofitimprurëse, mund të transformohen, me kërkesë për riorganizim, në institucione të pavarure publike të arsimit të lartë. Themeluesi i transferon institucionit autonom të drejtën e pronësisë mbi pasuritë në përdorim të këtij të fundit, duke ruajtur të drejtat e themeluesit sipas përcaktimeve në këtë kre.


2. Institucionet e pavarura publike të arsimit të lartë, pavarësisht nga origjina e themelimit, zbatojnë të njëjtat rregulla mbi organizimin dhe funksionimin e tij. Në të gjitha rastet kur nuk parashikohet ndryshe në këtë kre, gjejnë zbatim dispozitat e këtij ligji për institucionet publike të arsimit të lartë.


Studentët, ndryshon skema e financimit


Zbardhet projektligji i ri i qeverisë për “Arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, në të cilin propozohet ndryshimi i skemës së financimit. Në projektligjin e ri krijohet Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, që do të jetë një institucion publik dhe që ka detyrën kryesore për të shpërndarë fondet publike në sistemin e arsimit të lartë.


Në nenin 15 të projektligjit, thuhet se Agjencia Kombëtare e Financimit do të menaxhojë fondet publike, si dhe do të ketë si kompetencë mbështetjen me bursa studimi për studentët e shkëlqyer, studentët në programet e studimit në fusha prioritare. Po ashtu dhe studentët që vijnë nga shtresat sociale në nevojë. Kjo agjenci që do të krijohet, do të garantojë dhe skemën e kredive për studentet.


“Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) është institucion publik që ka për detyrë kryesore shpërndarjen e fondeve publike për:
a) mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve publike të arsimit të lartë;
b) mbështetjen me bursa studimi për studentë të shkëlqyer, studentë në programet e studimit në fusha prioritare dhe studentë nga shtresa sociale në nevojë;
c) garantimin e skemës së kredive studentore”, thuhet në projektligj.


Institucione
Në projektligjin e ri të arsimit të lartë parashikohet ngritja e tri institucioneve të tjera, që do të merren me kontrollin e cilësisë, akreditimet dhe kërkimet shkencore. Për kontrollin e mësimdhënies në universitet publike do të ngrihet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë që “është institucion publik, përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin të lartë. ASCAL, përmes mekanizmave të sigurimit të cilësisë, akreditimit dhe proceseve të tjera, monitoron dhe vlerëson cilësinë e mësimdhënies si dhe verifikon procesin e realizimit të cilësisë në kërkimin shkencor.


ASCAL bazon veprimtarinë e saj mbi udhëzuesit të saj, në Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë dhe në Standardet dhe Udhëzuesit Europianë të Cilësisë në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë”. Po me ligj ngrihet Bordi i Akreditimit që do të miratojë programet studimore, po ashtu dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor që do të shpërndajë fondet për programet e kërkimeve, për institucionet e arsimit të lartë, në fushat e shkencave natyrore, inxhinierike dhe teknologjike, mjekësore, bujqësore, sociale dhe humane.


Financimi i universiteteve
Neni 15
1. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) është institucion publik që ka për detyrë kryesore shpërndarjen e fondeve publike për:
a) mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve publike të arsimit të lartë;
b) mbështetjen me bursa studimi për studentë të shkëlqyer, studentë në programet e studimit në fusha prioritare dhe studentë nga shtresa sociale në nevojë;
c) garantimin e skemës së kredive studentore.
2. AKFAL propozon kriteret dhe formulat e shpërndarjes së fondeve publike të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Këshilli i Ministrave miraton çdo vit letrën e prioriteteve sipas propozimit të ministrit përgjegjës për arsimin.
4. Organizimi dhe funksionimi i AKFAL-it rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave./Gazeta Panorama


Më të lexuarat