Secondary Adv

Nisin punimet per rrugen Buzuq-Corovode

 

Me një fond prej rreth 584 milion lekësh të akorduara nga buxheti i shtetit, kanë filluar ditën e djeshme punimet në aksin nacional Buzuq-Çorovodë, me një gjatësi 5 km, investim ky që pritet të të përfundojë në fund të këtij viti.


Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Dashamir Xhika si dhe deputetë të qarkut e krerë vendorë, i janë drejtuar sot qytetit të Çorovodës, për të marrë pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve të rrugës hyrëse të këtij qyteti, ku prej vitesh nuk ishte vënë dorë.
Në fjalën e rastit, ministri Nasip Naço është shprehur se qeveria shqiptare i ka kthyer sytë tashmë nga Skrapari, për të mos e lënë më këtë qytet të izoluar. Naço premtoi se qeveria do të mbështesë të gjitha projektet e bashkisë së këtij qyteti, për të rritur ndjeshëm zhvillimin turistik të zonës së Skraparit, ku ndodhen kanionet më të bukura në vend.


“Një investim i filluar vite më parë, një premtim i mbajtur vit pas viti, jeni të ndërgjegjshëm që në këtë rreth ka filluar puna dhe është kthyer në një kantier ndërtimi. Rama dhe Meta kanë kthyer sytë nga Skrapari. Së shpejti, projekti është gati do ta lidhim me Përmetin. Do të bëjmë më shumë për Skraparin, do mbështesim kreun e bashkisë për projekte të reja në të ardhmen”, tha Naço.

 

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Dashamir Xhika tha se ky projekt është mjaft i rëndësishëm për zonën e Skraparit dhe se punimet në këtë aks do të realizohen me cilësi të lartë dhe me standardet më të mira bashkëkohore. Xhika ka pohuar se përfundimi i këtij projekti nuk do të sjellë vetëm impakt infrastrukturor për këtë zonë por synon të sjellë impakt edhe në zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik.


“Sot fillojnë punimet Buzuq-Çorovodë, 5 km me investim nga buxheti i shtetit. Është një projekt i Autoritetit Rrugor Shqiptar, me rëndësi të madhe për Skraparin dhe që do të ketë ndikim të gjithanshëm. Ky aks shkurton distancën Berat-Çorovodë dhe do të jetë një aks rrugor me standardet me bashkëkohore. Ky aks ndikim për zhvillimin ekonomik të zonës. Bizneset që kanë investuar kanë pasur vështirësi infrastrukturore”, tha Xhika.


Më të lexuarat