Ne shkurt pritet te rritet cmimi i miellit, Rusia vendos tarifa shtese
Nga data 1 shkurt e këtij viti rrezikohet që të ngrihet edhe çmimi i bukës. Kjo do të vijë për shkak se Rusia do të aplikojë nga kjo datë një takë të re. Ministria e Bujqësisë ka paralajmëruar rritjen e çmimit të miellit dhe drithërave, si pasojë e ndryshimit të konjukturave ndërkombëtare të tregtisë së miellit nga eksportuesit rusë.
Forcimi i dollarit rrit çmimin e grurit dhe të miellit, ndërkohë që një taksë ruse mbi eksportet e drithërave, që hyn në fuqi më 1 shkurt, pritet t’i shtrenjtojë akoma më shumë këto produkte. Sipas përfaqësuesve të industrisë së miellit, të cilët u takuan dje, me ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti, për shkak të ndryshimit të kursit të dollarit, gruri gjatë janarit ka kushtuar më tepër se e njëjta sasi e importuar në muajin dhjetor.
Megjithëse Panariti u shpreh se “praktikisht në vend nuk ka rritje të çmimit të miellit dhe të bukës”, konstatohet se në pikat e shumicës në kryeqytet, 1 kuintal miell kushton 200 deri në 400 lekë më tepër se në muajin dhjetor. Taksa suplementare ruse 35 euro/ton do të sjellë një rritje, minimalisht në masën 15 për qind. Në këto kushte, edhe rritja e çmimit të bukës do të ishte e pashmangshme.
Masa që të mos ndryshojë çmimi
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm për t’u dalë para fenomeneve, të mos kapemi nga situata të papëlqyera dhe do të marrim të gjitha masat e duhura për të mos ndryshuar çmimin e miellit, për pasojë edhe çmimin e bukës që është artikulli më i konsumuar nga shqiptarët”, tha ministri Panariti. Arsyeja e takimit me përfaqësuesit e industrisë së miellit kishte të bënte me ndryshimin e koniunkturave ndërkombëtare të tregtisë së miellit, duke u nisur nga fakti që për arsye të ndryshme, disa eksportues të ndryshëm të miellit, sikurse është Rusia, po aplikojnë tarifa suplementare për miellin e eksportuar.
Duke qenë se Rusia konkurron me çmim, sasitë më të mëdha të miellit importohen nga Rusia, e cila eksporton te ne rreth 140 mijë tonë në vit, kur prodhimi i saj i përgjithshëm për eksport në botë është mbi 20 milionë tonë”, deklaroi Panariti. “Nga ana tjetër, u diskutua edhe një situatë e disfavorshme në kuptimin e eksporteve dhe importeve të miellit përballë rritjes së dollarit, pasi ju e dini se mielli në bursë është i kuotuar me dollarë, blerja bëhet me dollarë dhe ngritja e dollarit është në disfavor të sasive të importuara”, tha Panariti. Lidhur me masat që priten nga qeveria, Panariti tha se, u diskutua me përgjegjshmëri me importuesit për të frenuar rritjen e çmimit të miellrave. “Praktikisht në momentin që flasim nuk kemi asnjë rritje të çmimit të miellrave apo të bukës, por ne duhet t’u dalim përpara situatave”, deklaroi ministri i Bujqësisë.
Së pari, tha Panariti, duhet të rritet rezerva stok e miellit. Praktikisht, tregtarët kanë një rezervë stok mielli, prej një muaji furnizim të pandërprerë, por dje u diskutua që kjo rezervë të shkojë një dy ose tre muaj, në mënyrë që të futet në treg një sasi mielli, që të balancojë një rritje të mundshme në tregjet ndërkombëtare.
Kërkesat e prodhuesve të miellit
Në takim u prekën edhe opsione të tjera, që duhet të marrin edhe pëlqimin e ministrit të Financave, për sa u përket lehtësive fiskale për miellin e importuar. Megjithëse qeveria nga data 1 janar 2015 ka hequr doganën për importet e miellit dhe grurit, përfaqësuesit e kësaj industrie kërkojnë heqjen e përkohshme të TVSH-së. Ky përjashtim, sipas tyre, duhet të jetë deri në periudhën kur të fillojnë korrjet e reja. Vetë ministri Panariti u tregua i rezervuar për këtë kërkesë. “Ne kemi disa opsione, që unë nuk do të nxitohem për t’i bërë publike, për arsye sepse na duhet të diskutojmë fillimisht edhe Ministrinë e Financave, natyrisht edhe me sistemin bankar të vendit për të bërë një hap të pjekur dhe të mirëbalancuar”, tha Panariti.
Një propozim tjetër që u bë ishte për kursin e konvertimit të miellit lekë / dollarë, i cili mund të mbahet në mënyrë të kontrolluar. Sipas Panaritit, kjo ide mbetet për t’u diskutuar edhe në nivel të organizmave financiarë të vendit. Ministri Panariti foli gjithashtu edhe për paketën e njehsuar të standardeve të miellrave dhe drithërave midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai konfirmoi se: “Prodhuesit e miellit më garantuan edhe njëherë që mbështesin përfundimisht paketën, këtë përkrahje e pata edhe nga prodhuesit e miellit të Kosovës, në këtë mes ne ndodhemi në kushtet e njësimit të plotë të standardeve të cilësisë dhe të sigurisë të miellit”.