Secondary Adv

Kanali jeshil, procedure e re per lehtesira ne zhdoganime

Në doganat shqiptare tashmë po aplikohet për herë të parë kanali jeshil, ose i quajtur ndryshe përzgjedhja pa kontroll doganor. Projekti pilot do të testohet fillimisht në një agjenci doganore në Durrës dhe më pas pritet të aplikohet në të gjithë pikat e zhdoganimit.

 


Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali ishte në një prej Agjencive Doganore në Durrës për të parë në terren zbatimin e kësaj procedure lehtësuese për bizneset.
Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali theksoi se kanali jeshil dhe operatorët ekonomikë të autorizuar konsiderohen një revolucion për sa i përket ndryshimit të mendësisë së doganës në raport me bizneset ndërsa ministri i Financave Shkëlqim Cani evidentoi se përfitimi i thjeshtimit të kësaj procedure është i përbashkët, si për bizneset ashtu dhe për doganat.

 


Ndërsa kryeministri Rama e cilësoi hapjen e korridorit jeshil si një moment të rëndësishëm në funksion të vizionit për ta transformuar marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie partneriteti.


Kanali jeshil mundëson disa përparësi për komunitetin e biznesit. Ndër to, më kryesorja është ulja e kostove dhe reduktimi i kohës që bizneset kalojnë në doganë, shmangja e çdo barriere administrative, si dhe shmangja e kontaktit fizik mes doganierit dhe biznesit.
Praktika doganore merr gjithsej vetëm 10 minuta kohë, duke eliminuar radhë të gjata dhe orë të tëra pritjeje që përkthehen në kosto për biznesin.


Më të lexuarat