Kanali jeshil, procedure e re per lehtesira ne zhdoganime
Në doganat shqiptare tashmë po aplikohet për herë të parë kanali jeshil, ose i quajtur ndryshe përzgjedhja pa kontroll doganor. Projekti pilot do të testohet fillimisht në një agjenci doganore në Durrës dhe më pas pritet të aplikohet në të gjithë pikat e zhdoganimit.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali ishte në një prej Agjencive Doganore në Durrës për të parë në terren zbatimin e kësaj procedure lehtësuese për bizneset. Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali theksoi se kanali jeshil dhe operatorët ekonomikë të autorizuar konsiderohen një revolucion për sa i përket ndryshimit të mendësisë së doganës në raport me bizneset ndërsa ministri i Financave Shkëlqim Cani evidentoi se përfitimi i thjeshtimit të kësaj procedure është i përbashkët, si për bizneset ashtu dhe për doganat.
Ndërsa kryeministri Rama e cilësoi hapjen e korridorit jeshil si një moment të rëndësishëm në funksion të vizionit për ta transformuar marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie partneriteti.
Kanali jeshil mundëson disa përparësi për komunitetin e biznesit. Ndër to, më kryesorja është ulja e kostove dhe reduktimi i kohës që bizneset kalojnë në doganë, shmangja e çdo barriere administrative, si dhe shmangja e kontaktit fizik mes doganierit dhe biznesit. Praktika doganore merr gjithsej vetëm 10 minuta kohë, duke eliminuar radhë të gjata dhe orë të tëra pritjeje që përkthehen në kosto për biznesin.