Secondary Adv

Eksportet ne krize: Shkak situata hidrike dhe shitja e naftes brenda vendit

Muajt e parë të këtij viti nuk kanë qenë pozitivë për ecurinë e eksporteve. 

 

Pas një përmirësimi të lehtë në mars, ato i janë rikthyer sërish tkurrjes së lehtë në muajin prill, me -0.24%. Si rrjedhojë, për 4 mujorin u eksportuan jashtë vendit mallra me vlerë 99 miliardë lekë, me një rënie prej 2.3% në raport me janar-prillin e 2018-s. Performanca e dobë në prill ishte kryesisht nga “Minerale, lëndë djegëse, en,el,”, eksportet e të cilit u përgjysmuan. Edhe për katër mujorin, eksportet e këtij grupi ranë me 25% me bazë vjetore, duke zbritur në gati 15 miliardë lekë (15% e totalit, duke kaluar në grupin e tretë më të madh të eksportuar). Dy janë arsyet e kësaj performance të dobët, së pari rënia e eksporteve të energjisë, pasi ndryshe nga viti i kaluar, muajt e parë të këtij viti kanë qenë të thatë. Së dyti, burime nga eksportuesi më i madh në vend, Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të patos Marinzës, thanë se kompania ka shitur më shumë naftë brenda vendit, për shkak të marrëveshjen që ka me sipërmarrjen që shfrytëzon rafinerinë ARMO, çka ka ndikuar në uljen e eksporteve.

 

Tekstilet dhe këpucët e kanë rimarrë veten, pas rënies së lehtë të muajve të parë, duke rikuperuar në prill. Për 4 mujorin, ky grup, që është më i madhi me gati 42% të totalit të eksporteve ka shitur jashtë 41 miliardë lekë mallra, me një rënie të lehtë prej 0.6%. Materialet e ndërtimit dhe metalet, kanë kaluar sërish në grupin e tretë më të madh në vend me 16% të totalit. Eksportet e tij për 4 mujorin ishin 16 miliardë lekë, me një rënie prej 8% me bazë vjetore, por që vjen nga performanca negative e dy muajve të parë, ndërsa në prill u rritën me 13%. Burime nga Kurum, eksportuesi më i madh i këtij grupi, thanë se në dy muajt e parë të vitit, kompania uli eksportet për shkak të motit të keq dhe remontit në fabrikë, por tashmë ajo ka rifilluar normalisht aktivitetin. Me rritje të ndjeshëm për 4 mujorin janë eksportet e Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, me 34%, duke arritur në 7.3% të totalit të eksporteve. teksa janë shtuar investimet në kompanitë që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimi për automjete. Industria mbështetëse automotive po njeh zgjerim në tregun shqiptar. Gjermanët e “Forschner” pritet që të nisin punë së shpejti në fabrikën e tretë të saj, ndërkohë që edhe “PSZ Albania” ka vite që operon.

 

Së fundmi, industrisë i janë shtuar edhe francezët e “Delmon Group”, me një fabrikë në Elbasan, kurse koreanët e “Yura” gjatë këtij viti pritet të vendosen në Fier pas një epopeje 2-vjeçare zvarritjeje. Ertjan Cabiri, Drejtor Menaxherial i “Delmon Group Albania”, një filial i një kompanie franceze vendosur një Elbasan dhe që  prodhon gomina amortizuese për autovetura të “Peugeot”, “Renault”, “Fiat Group”, shprehet për Monitor se kompania ka rritur eksportet së fundmi. “Ne kemi rritur eksportet me 20-30 për qind gjatë kësaj periudhe dhe mendojmë se do të ruajmë të njëjtin trend edhe në vijim” shprehet Cabiri. Në rritje të ndjeshme ishin dhe eksportet e Ushqime, pije, duhan, që u zgjeruan me 18%, duke përbërë 10% të totalit të eksporteve në vend. Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,2 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +1,8 pikë përqindje.

 

Rritet deficiti tregtar

Në katërmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 99 mld lekë, duke u ulur me 2,3 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 205 mld lekë, duke u rritur me 3,2 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 106 mld lekë, duke u rritur me 8,9 %, krahasuar me 2018. Si katërmujor, importet janë rritur me 3,2 %, krahasuar me katërmujorin e parë 2018. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +1,0 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +0,3 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar negativisht grupi: “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me -0,4 pikë përqindje.

 

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Prill 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Prill 2018 janë: Kosova (70,4 %), Spanja (8,7 %) dhe Gjermania (7,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-5,7 %), SHBA (-6,7 %) dhe Zvicra (-96,9 %). Gjatë këtij katërmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (52,0 %), Maqedonia e Veriut (20,1 %) dhe Turqia (79,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-1,1 %), Spanja (-25,3 %) dhe Gjermania (-3,3 %). Në muajin Prill 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Prill 2018 janë: Turqia (19,4 %), Greqia (36,5 %) dhe Kina (62,9 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-6,7 %), Gjermania (-3,6 %) dhe Maqedonia e Veriut (-8,0 %)./Monitor


Më të lexuarat