Secondary Adv

7 per qind me shume turiste te huaj ne katermujorin e pare, bie numri i vizitoreve nga Kosova

Hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë u rritën me 7% në katërmujorin e parë, por shqiptarët nga Kosova i kanë frenuar ndjeshëm lëvizjet në Shqipëri në këtë fillimvit.

 

Sipas të dhënave të INSTAT në publikimin për lëvizjen e shtetasve, numri i shqiptarëve të Kosovës që kanë vizituar Shqipërinë gjatë janar-prill 2019 ka rënë me -6.4%. Një vit më parë e vizituan vendin 337,721 persona nga Kosova, ndërsa këtë vit 316,221 vizitorë. Turistët nga Kosova përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve në vendin tonë, ndaj dhe ulja e tyre e ndikon turizmin më negativisht se luhatjet nga shtetet e tjera. Pas informacioneve të marra nga agjencitë turistike të Kosovës, Shqipëria mbetet si destinacioni kryesor i turistëve nga Kosova, megjithatë ofertat në rritje me çmime më të leverdishme nga vendet e tjera po i tërheqin një pjesë të mirë të shqiptarëve të Kosovës, duke i larguar ata nga turizmi tradicional në Shqipëri. Për pushimet verore vërehet se ka rritje të kërkesës nga ana e shtetasve të Kosovës për shërbime më cilësore, ndërsa oferta ka mbetur e pandryshuar për shumë vite në bregdetin shqiptar.

 

Agjencitë e Kosovës pohojnë si arsye në një shkallë të madhe, në braktisjen e Shqipërisë nga shtetasit e Kosovës, çmimet e ulëta që kanë ofruar vendet e tjera. Por gjithashtu ata kanë shumë rezerva edhe për cilësinë e shërbimit në Shqipëri. Agjencitë e kanë pohuar se po i vjen fundi turizmit patriotik, që në masë të madhe ka qenë deri më tani. Sipas tyre, Shqipëria duhet t’i trajtojë shtetasit e Kosovës njësoj, për të mos thënë edhe më mirë se turistët polakë, çekë, apo rusë, të cilët së fundmi po shihen si zëvendësim, duke u ofruar shërbim më cilësor dhe atraksione më të mëdha. Ndërsa kërkesa për turizëm në Shqipëri ishte e qëndrueshme nga vendet e tjera fqinjë. Shtetasit nga Italia ishin 8.9% më të shumë në numër se sa në katërmujorin e parë të vitit 2018. Gjithashtu vizitorët nga Maqedonia u rritën me 7%. Polakët vijojë të kenë një kërkesë të lartë edhe pse ende nuk është sezoni i plazhit.

 

Në katërmujorin e parë, numri i polakëve që vizituan Shqipërinë u rrit me 12%. Rritje patën e vizitorët nga Zvicra, Gjermania dhe Spanja respektivisht me 29, 21 dhe 27 %. Gjatë këtij katërmujori, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 124,2%, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Mali i Zi me 3,2%. Në katërmujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 29,5%, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Kosova me 6,%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në katërmujorin e parë 2019, është 1,719,591, duke u rritur 10,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë muajit prill 2019, 469.788 shqiptarë udhëtuan jashtë vendit. Krahasuar me prill 2018, ky numër është rritur 4,1%./Monitor 


Më të lexuarat