Secondary Adv

Projekt-propozime per turizmin. Ministria hap thirrjen, ja objektivat kryesore

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nëpërmjet një njoftimi ka shpallur thirrje për përfitimin e mbështetjes financiare të projekteve në fushën e turizmit nga data 20 Maj deri më datën 19 qershor të këtij viti.

 

Sipas Ministrisë së Turizmit, qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje është të forcojë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit të turizmit në Shqipëri, duke inkurajuar zgjerimin e sezonit turistik. Kjo, nëpërmjet promovimit të destinancioneve turistike e të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe natyrore vendase, duke përmirësuar cilësinë e shërbimit nëpërmjet edukimit si dhe duke e diversifikuar atë me modele inovative të produkteve turistike. Sipas njoftimit, duke pasur parasysh këto objektiva kryesore, thirrja është e ndarë në tre tematika:

 

Së pari është promovimi destinacioneve turistike e të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të vendit tonë.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të bashkë financojë për këtë tematikë projekte që do të synojnë:
– Rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë që ka turizmi për zhvillimin e vendit dhe përfitimet e mundshme për popullsinë lokale të rajoneve të ndryshme nëpërmjet aktiviteteve promovuese, organizimit të festave lokale, etj.
– Përfshirjen gjithnjë e më shumë në sektorin e turizmit të komuniteteve lokale, me fokus angazhimin e të rinjve në promovimin e destinacioneve dhe vlerave turistike.
– Promovimin online të destinacioneve turistike shqiptare dhe veprimtarisë së agroturizmit.

 

Së dyti është zhvillimi, përmirësimi dhe përgatitja e studimeve apo modeleve të produkteve turistike specifike në përputhje me kërkesën gjithnjë në rritje për paketa inovative, që ofrojnë përvoja të pazakonta me surpriza dhe ide stimuluese, përveç shërbimeve bazë standarde.

Sipas njoftimit për këtë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të bashkëfinancojë projekte që do të synojnë:
-Idetë që sjellin risi dhe inovacion në shndërrimin e burimit turistik në produkt turistik.
-Zhvillimin e produkteve turistike për tu bërë të shfrytëzueshme përgjatë gjithë vitit.

 

Së treti dhe së fundmi është përmirësimi dhe rritja e cilësisë së shërbimit në industrinë e turizmit nëpërmjet edukimit profesional të burimeve njerëzore të subjekteve që zhvillojnë veprimtari në fushën e turizmit.

 

Për këtë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të bashkëfinancojë projekte që do të synojnë:
-Edukimin/formimin profesional cilësor të burimeve njerëzore të subjekteve që zhvillojnë veprimtari në fushën e turizmit.
-Zhvillimin e programeve edukative dhe ndërgjegjësuese në lidhje me mirëmbajtjen e mjedisit ujor detar.


Më të lexuarat